Nga burime pranë këngëtares sonë në Vjenë, thuhet që natën finale, Elhaida mund të mos ngjitet në skenë me të njëjtën veshje. Kostumi i zi, me krahë skenikë, ndoshta varet në gardërobën e këngëtares si një kujtim i bukur nga gjysmëfinalja që e kualifikoi. Sepse nuk është veshja, është zëri që e çoi Elhadiën në finale.
Në orën 14.00 në Vjenë nisin provat e finales me veshjet e reja dhe Elhaida mund të ketë një veshje krejt të re, nga koleksioni i fundit i stilistit kosovar Valdrin Sahiti. Ajo e kishte zgjedhur këtë stilist edhe për paradën në tapetin e kuq para fillimit të konkurrimit, ku shkëlqente me një fustan të verdhë. Në finale ajo mund të veshë një krijim të ri të tij.
Presim performancën e nesërme kur ajo do të këndojë e 26-ta, e parafundit, në garën që transmetohet live, pas së cilës shqiptarët në gjithë Evropën dhe Australi mund të votojnë.

Në pritje të provave skenike, Elhaidës i kanë dhuruar një tortë tradicionale vjeneze Sacher.


