Nuk është nga ato vajza që përpiqet të japë një imazh të mirë në publik duke bërë lloj-lloj sakrificash që të gjithë ta duan, por nuk është se Xhansila Peren e duan më pak. Njerëzit që e njohin nga afër, vlerësojnë tek ajo sinqeritetin dhe natyrën e drejtpëdrejtë, edhe kur mendimet e saj të hapura nuk u pëlqejnë të gjithë njerëzve. Pas pjesëmarrjes në Big Brother dhe raportit intim që krijoi aty me Fatjonin, Xhensila nuk u shpëtoi komenteve e reagimeve të njerëzve jashtë, por nuk ndryshoi nga karakteri i saj, përkundrazi. Ajo nuk ka dashur të hiqet si njeri tjetër dhe këtë e ka thënë vazhdimisht edhe në intervista të ndryshme mediatike.
Megjithatë, nuk harrohen aq lehtë deklaratat e saj, sidomos nëse është fjala për marrëdhëniet me meshkujt. Në një intervistë të hershme në InTV, përballë Kelvi Kadillit (kur ky drejtonte Interview në InTv), Xhensila rrëfeu disa prej sekreteve të saj në raport me meshkujt, madje edhe ato nën çarçafë. Mes gjërave që i pëlqejnë ose jo, Xhensila zbuloi edhe një mashkull shqiptar, i cili në sytë e saj, është tërheqës edhe seksualisht: “Është shumë atraktiv Blerim Destani”, – tha Xhensila duke shtuar se nuk e ka takuar ndonjëherë: “Dhe ndoshta prandaj më duket atraktiv se nuk e kam takuar, thjesht në foto…”
Dhe nëse përballë Blerimit, Xhensila do të zgjidhje një raport më intim, seksi me të të do të ishte soft: “Soft, e kam treguar deri tani, por ai të ngjall atë përshtypjen e hard… Por shpresoj, në rast se e takoj, të mos më zhgënjejë”, – tha Xhensila me humor.
E gjithë kjo deklaratë që pushtoi mediat asokohe, nuk u harrua. Po a e mësoi Blerimi deklaratën e Xhensilës dhe si reagoi pas saj? Modelja ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në Top Arena dhe përballë Edi Manushit, në “Këndi i së vërtetës”, pas pyetjes si kishte reaguar Blerim Destani për deklaratën e saj, Xhensila tha se nuk e kishte pritur mirë: “Ëhë, s’e priti mirë, s’ma vari…” – tha ajo me të qeshur.
Manushi, duke vijuar batutat e Xhensilës, shprehu “keqardhjen” e tij për këtë reagim aspak “të sjellshëm” të aktorit për bukuroshen e njohur shqiptare, e cila, pavarësisht refuzimit, nuk dorëzohet lehtë, madje pritshmëritë i ka edhe më të larta. Pse jo?