Ndoshta nuk është më thjesht një mënyrë të thëni, një mënyrë për të përcjellë pyetjen “pse akoma vetëm?” përgjigjja “jam shumë i zënë me punë”. Të paktën duket e vërtetë në rastin e reperit të njohur shqiptar, Mc Kresha, i cili ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Pushime on Top”, në Top Channel.

Duke rrëfyer për projektet muzikore, bashkëpunimet, po edhe lëvizjet nëpër koncerte gjatë periudhës së nxehtë të verës, Kresha nuk i shmangu as pyetjet nga jeta private.

Puna dhe muzika ia mbushin ditën Mc Kreshës, ndaj edhe ka mbetur akoma pa të dashur. Kështu i është përgjigjur ai pyetjes nëse ka një lidhje dashurie: “Ngaqë jam në punë, nga një koncert në një tjetër, s’ka kohë për pushime, nuk më do askush, prandaj jam single”,- tha ai me të qeshur.

Por nuk ndihet aspak keq për këtë, përkundrazi. I ka ditët e mbushura me punë, me koncerte e me muzikë të mirë. Për këtë të fundit, Mc Kresha, tha se, mes shumë artistëve të tjerë të njohur, një zë që ai e dëgjon sa herë ndjen nevojën për muzikë të mirë, është Aurela Gaçe: “Kur më merr malli të dëgjoj muzikë të mirë, dëgjoj Aurela Gaçen dhe këngën Valsi Lumturisë. Meqë ajo më ka ftuar njëherë për një bashkëpunim, po e ftoj edhe unë publikisht”,- tha Mc Kresha në “Pushime on Top”.

Meqë është verë, Mc Kresha ka edhe një pamje të re. Flokët nuk i ka më të gjatë, por kaçurrelat e bukur, natyrisht që po: “Vera e gjatë dhe dëshira që të laj flokët çdo ditë më bënë t’i shkurtoja. Duke menduar çfarë më priste, thashë t’i shkurtoj sa është koha…”