Ka akoma surpriza. Tv Klan, sapo ka prezantuar promon dhe, siç e dini, një pjesë e programeve identifikuese të këtij ekrani do të rinisin në sezonin e ri me publikun e tyre, ashtu si edhe shumë të tjera që “do të testohen” për herë të parë gjatë këtij sezoni të ri.

Emra të njohur, por edhe emra të rinj pritet që të kenë karrigen e tyre në një sezon të gjatë, i cili këtë herë do të ketë të përfshirë të gjithë familjen. Pas ekranit të vogël, gjithçka do të ndiqni do të jetë një pjesë e ditës suaj, por po ashtu edhe një pjesë tjetër e kohës së lirë.

Duke nisur që nga 3 shtatori, Tv Klan ju garanton larmi programesh nga mëngjesi deri në mbrëmje, me personazhe të njohur e të rinj, por që të gjithë bashkë kanë të njëjtin qëllim: t’ju kënaqin.

Cilat janë programet e reja që do të ndiqni në Klan sezonin e ri?

Ditë për Ditë – Alba Çobaj

Në prezantimin e promos së këtij ekrani, programacioni nis menjëherë pas Aldo Morning Show, me “Ditë për ditë”. Një program i ri i projektuar për të qenë afër publikut të paradites. Alba Çobaj, pas disa eksperiencave në mediat e shkruara, i del përballë publikut me natyrën e saj të drejtpëdrejtë. Programi që ajo do të drejtojë në Klan ka në përmbajtje larmi temash të së përditshmes dhe, me siguri, ndër më shqetësueset tona. Detajet, as Alba, por as programacioni nuk i kanë zbuluar ende. Pritet që çdo surprizë të zbulohet sapo të nisë programi. Çdo ditë, në orën 10.00.

Sfida e gatimit – Alfio dhe Indriti

“Bukë, kripë e zemër” ishte “testi” i parë për Alfion dhe Indritin në Tv Klan. Gjatë gjithë verës, dy djemtë, jo vetëm që vizituan shumë prej qyteteve të Shqipërisë nga veriu në jug, por njëkohësisht edhe kërkuan recetën tradicionale në secilën zonë. Me çeljen e sezonit të ri, dy shefat do të gatuajnë në Tv Klan. Kështu thonë, të paktën, në prezantimin e programit të ri që mban emrin “Sfidat e gatimit”. Mbetet për t’u parë nëse emri i ri do të ndryshojë profilin e programit apo “Sfida” e Alfios dhe Indritit do të jetë edhe t’u mësojnë personazheve të njohur ose jo receta të ndryshme. Rëndësi ka që edhe këtë sezon, ka një program në kuzhinën e Tv Klan. Pak pas mesditës, me Alfion dhe Indritin. 

Duplex

Mbrëmjet e së shtunës do t’i dedikohen tërësisht humorit në TV Klan. I gjithë “Apartamenti 2XL” është transferuar në Tv Klan, madje prej disa javësh kanë nisur edhe promovimin e projektit të tyre të ri. “Duplex”, një paketë e vërtetë humori, do të jetë pjesë e programeve të fundjavës, madje vetëm një orë para “Xing me Ermalin”. E gjithë trupa e “Duplex” garanton jo vetëm humor, por edhe “lojëra” dhe sarkazmë për jetën tonë të përditshme – hallet dhe problemet tona të sjella në një profil tjetër.

Familja – Turjan Hysko

Edhe “blerja” e Turjan Hyskos nga Tv Klan ishte po aq e bujshme sa shumë lëvizje që pritet të ndodhin sezonin e ri në ekranin e madh. Prej javësh, Turi ka nisur ta prezantojë programin e tij që do t’i dedikohet tërësisht familjes. Kur më mirë se ditën e diel? Kur e gjithë familja është e mbledhur bashkë; të vegjël e të mëdhenj, fëmijë, prindër e gjyshër – të gjithë për t’u bërë pjesë e  një game show, të cilën Turi do ta zbulojë vetëm pasi të nisë.

Nuk janë akoma të gjithë. Për momentin kaq, por sapo të nisë sezoni, Klani ka ende surpriza për të zbuluar. Detyra juaj është vetëm një: zhdukeni nga qarkullimi telekomandën!