Nëse ka një arsye që Top Magazine nuk do ta shikoni me të njëjtin interes sezonin e ri, e ka emrin Ervin Kurti. Gazetari i njohur i showbiz-it, i kthyer prej kohësh në një “kërcënim të hapur” për të ftuarit e Magazine-s, nuk do të jetë më pjesë e një prej programeve më të vjetër të Top-it. Pas 4-vjetësh, Ervini ka lajmëruar se po e lë Top Show-n pa dhënë një arsye për këtë.
Në një postim të fundit të tij në Instagram, Ervini shkruan se Top Show-n do ta ndjekë nga ekrani. Duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët dhe Alban Dudushin me të cilin ndau një eksperiencë të gjatë, Ervini ndihet i priveligjuar që ka pasur rastin të punojë me profesionistë:
“Që nga sonte, do ta ndjek Top Show-n përmes ekranit. @albandudushi, ti kurrë s'ke dashur të të komplimentoj për së afërmi, por pas 4 vitesh pune me ty, jam ndier i privilegjuar që kam mësuar prej një gazetari & moderatori që pos të gjithave, bart, pa diskutim, vlera qytetarie & profesionalizmi. Mirënjohje pa fund ty dhe stafit…”, – shkruan Ervini në Instagram, por pa zbuluar se çfarë do të ndodhë me të sezonin e ri.
“Për ndjekësit në Insta, do të shihemi në projekte të tjera”, – shkruan më tej, por pa zbuluar se çfarë dhe ku do të shihemi.
Tani që ‘speci djegës’ i Top Magazine-s nuk do të jetë më të premteve (apo të mërkurave), të ftuarit do të jenë më të qetë nga “sekretet” që vetëm Ervini ua nxirrte me stil, por të gjithë e dimë që ngacmimet dhe batutat, vështirë t’i bëjë tjetër njeri si ai.