Ndryshe nga shumë kolege të saj apo të tjerë personazhe të showbiz-it, Xhesika Polo nuk e ka pasur kurrë problem peshën, përkundrazi. Gjithmonë në paqe me veten dhe gjithmonë e hapur për t’i thënë publikut se është ajo që është dhe nëse e do muzikën dhe artin e saj, le ta përqafojë; nëse jo, atëherë ky nuk është aspak problem i saj.
Pak muaj më parë, këngëtarja 21-vjeçare bëri një ndërhyrje në gushë, të cilën jo vetëm e ndau me të gjithë, por edhe e pranoi publikisht se nuk kishte arsye pse ta fshihte. Gjithçka bëhej për të mirën e shëndetit dhe pamjes së saj. Ndërsa këtë verë, bëri edhe një ndërhyrje tjetër për të reduktuar depozitimin e dhjamit të tepërt në zonën abdominale.
Vendimin e kishte marrë, por edhe këtë herë e rrëfeu hapur me publikun. E ftuar pasditen e sotme te “Rudina”, Xhesika tha se vendimin nuk e kishte marrë sepse kishte probleme me peshën apo me veten, por sepse, bashkë me këtë ndërhyrje, dëshironte të ndërronte mënyrë jetese: “Unë nuk e kam pasur problem peshën, nuk më ka penguar në karrierë, është komentuar, sigurisht, siç komentohet çdo gjë, por unë nuk e kam pasur problem” – tregon këngëtarja e bindur në zgjedhjen që bëri.
E mendova më përpara edhe si një stil krejt tjetër jetese. Ndërhyrja në bark konstatonte në futjen e disa shiringave që të hiqnin pjesët e tepërta të dhjamit. Unë vetëm disa ditë më pas isha në një koncert, edhe pse m’u deshën 4 javë të mbaja një korse.
Edhe pas ndërhyrjes, Xhesika nuk ndryshoi shumë nga vetja. Mbeti po ajo vajza me format e kolme, madje edhe me rroba banje nisi të postonte foto pa filtra. Edhe me celulit. Siç rrëfeu ajo, ishte Ronela Hajati ajo që e frymëzoi për këtë pjesë.
Pasi Ronela postoi një foto në Instagmin e saj me format e kolme, të dukshme, dhe me një mesazh për të gjithë, që ta duan veten ashtu siç janë, postimi i Xhesikës erdhi menjëherë më pas: “Askush nuk është perfekt! Duke u munduar të dukemi sa më ideal për sytë e publikut, harrojmë të jemi të vërtetë... Kjo është një foto E VERTETE. Nuk paska gjë më të bukur se të jesh rehat në lëkurën tënde. (Shtysë për të postuar këtë foto m’u bë @ronelahajatiofficial me postimet e saj të fundit).
Tani, Xhesika ndihet më komode. Siç tregon ajo, gjithçka bëri tani, duhet ta mbajë dhe për këtë premton. Është vetëm 21 vjeç dhe ka shumë vullnet për t’i ushtruar që trupi të mos ndryshojë shumë: “E bëra për veten time, e ndieja që kishte ardhur momenti të bëja një ndryshim. E bëra këtë ndërhyrje si një motivim për ta mbajtur këtë lloj fiziku. Më duhet ta mbaj me palestër, regjistër ushqimor etj.”
Edhe me publikun dhe para publikut ndihet shumë mirë, edhe më e sigurt, edhe më komode. Celulit ka dhe nuk e mohon, ndryshe nga të gjitha vajzat. Por është në paqe me veten dhe me trupin e saj.