Kantautori Flori Mumajesi është njëri ndër krijuesit më të suksesshëm të muzikës moderne shqiptare, duke prodhuar shumë hite që nga fillimet e tij. Bashkëpunimet e tij janë të shumta, sidomos me reperë kosovarë, si dhe me disa nga emrat më të zëshëm femërorë të muzikës së lehtë shqiptare.
Nisur nga një thënie e këngëtares shqiptare nga Maqedonia, Big Mamma, e cila vitin e kaluar ishte pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”, edicioni i 16-të, me këngën “Valentina” (krijim i dyshes Armend Regjepagiqi dhe Aida Baraku), e cila nuk arriti të futej në finale të festivalit, pasi nuk u votua mjaftueshëm nga kolegët e saj këngëtarë, por krijuesi i festivalit Ardit Gjebrea, theu rregullat e festivalit që e krijoi vet, duke e futur artisten në finale për show-n dhe batutat origjinale që ajo krijon. Ajo në natën finale e ironizoi festivalin duke thënë: “Herën tjetër do të vij me 20 a 30 shokë të mi këngëtarë, në mënyrë që të votohem mjaftueshëm për të hyrë në finale”-Big Mamma.
Me sa duket kantautori i famshëm Flori Mumajesi e vuri vathë në vesh këtë thënie të Big-ut, pasi që këtë edicion të Këngës Magjike 2015, përveç që po merr pjesë personalisht në këtë festival me këngën “Me fjalë të vogla”, shumica e artistëve këtë vit, marrin pjesë me krijime nga Flori dhe kompania e tij muzikore Threedots Production. Disa nga artistët e famshëm që po marrin pjesë këtë vit me krijime muzikore të Florit (Threedots Production) dhe që nuk ka si të mos i jenë mirënjohës janë: Stresi-Mos luaj me gocën, Erik Lloshi & Anxhela Peristeri-Të kam bërë të qash, Klajdi Haruni-O bo bo, Albërie Hadërgjonaj-Me dorën shtrirë, Mateus Frroku- Kujtime, Bruno- Dehur etj.
Edhe pse hiti “ Me fjalë të vogla “ me plot 1.7 milion klikime në Youtube, është një këngë e thjeshtë për nga ana muzikale, krahasuar me baladat e fuqishme të :
1. Aurela Gace – Akoma jo ( krijim i Adi Hilës),
2. Juliana Pasha – Vullkan ( krijim i Darko Dimitrov dhe Olti Curri),
3. Albërie Hadërgjonaj – Me dorën shtrirë (krijim I Kledi Bahiti dhe Olti Curri),
4. Mariza Ikonomi dhe Klea – Pikë loti etj.
Festivali Kënga Magjike 2015, këtë vit shënon edicionin e tij të 17-të, dhe siç është parë tashmë nga vitet e kaluara, finalistët e këtij festivali janë kryesisht emra të njohur të muzikës moderne shqiptare ose siç njihen emrat BIG, duke mos i përkrahur artistët e rinj (për të cilën është kritikuar gjithmonë ky festival, sepse nuk e vlerëson këngën por më shumë emrin e njohur të artistit), e me sa duket edhe këtë vit nuk do të ketë shumë befasi, pasi disa nga pretendentët për të hyrë në finale janë: Aurela Gace, Stine, Alberie Hadergjonaj, Mariza Ikonomi, Juliana Pasha, Erik Lloshi&Anxhela Persiteri, Stresi, Endri Prifti, Xhesika Pollo, Ergi Dini etj. dhe gjithsesi “fituesi” i këtij edicioni, që pritet të jetë Flori.
Unë, megjithatë, shpresoj të befasohem.
Ilami Hyseni është student i Universitetit të Prizrenit, ndjekës i rregullt i të gjitha spektakleve dhe koncerteve televizive.
