Nga njëri audicion në tjetrin, me zemrën ngrirë për të kaluar edhe një fazë, edhe një tjetër, edhe një tjetër… disa ishin fatlum dhe shkuan deri në finale, disa triumfuan, të tjerë jo. Por skena e “X Factor”-it, ishte vetëm Start-i, ashtu siç u thoshin shpesh organizatorët. Sfida e vërtetë ishte pas saj – përballja me tregun e ashpër muzikor. Megjithatë, sot, një pjesë e mirë e tyre jo vetëm ia kanë dalë të konkurrojnë hapur me emra të mëdhenj dhe të konsoliduar tashmë në muzikën shqiptare, por edhe janë mjaft të pëlqyer për publikun. Kush mund ta harrojë Xhesika Polon apo Ergi Dinin, të cilët me vokalin e tyre të jashtëzakonshëm kanë bërë për vete me mijëra fansa. Por edhe të tjerë që sot kanë një aktivitet të ngjeshur në muzikën live në Tiranë apo në skenat e festivaleve. Në listën e mëposhmte janë renditur talentet e “X Factor”-it, finalistë në netët gjysmëfinale të “Kënga Magjike 2015”.

Xhesika Polo
Xhesika Polo është një nga këngëtaret me zë të spikatur në tregun muzikor shqiptar. Pjesëmarrja në “X Factor 1” ishte vetëm fillimi për Xhesin, sepse më vonë do të kishte disa pjesëmarrje në garat muzikore. Disa herë pjesëmarrëse në "Kënga Magjike", këtë vit Xhesika vjen me një këngë të fuqishme “Fati jemi ne”. Po ashtu, Xhesika është mjaft e angazhuar edhe në muzikën live në Tiranë.
.jpg)
Sardi Strugaj
Sardi Strugaj, një nga konkurrentët më luftarakë të “X Factor 2”, që më pas vazhdoi karrierën si solist. Me zërin potent dhe rrymën alternative, Sardi ka publikuar disa këngë deri tani ku më të pëlqyerat cilësohen “Më sheh nga lart”, “Sa larg”, “Tripa me qika.” Me dy të parat, ai është prezantuar në "Këngën Magjike", ndërsa këtë vit vjen me krijimin “Nuk harroj”, me të cilin është klasifikuar në gjysmëfinale.

Ergi Dini
Ergi Dini, pasi fitoi edicionin e tretë të “X Factor” pati vetëm një këngë me titull “Morphine”, e cila rezultoi mjaft e suksesshme, edhe pse ishte pak larg stilit të tij. Me zërin e çjerrë dhe karakteristik prej rrokeri, Ergi vjen për herë të parë në “Këngën Magjike 2015”, me një krijim të tijin “Pa frymë”, me orkestrim të Darko Dimitrov. Kënga është pritur mjaft mirë si produkti i parë i tij dhe është klasifikuar për në gjysmëfinale.

Egzona Ademi
Këngëtarja dhe aktorja e njohur Egzona Ademi u bë e njohur falë “X Factor Albania 2”, ndërsa sot është një nga emrat më të suksesshëm në muzikë. Së fundmi, ajo ka prezantuar këngën e saj në “Këngën Magjike”, ku merr pjesë për herë të parë. "Krahët t’i ndjej" është një baladë e ndjerë, e cila i është dedikuar të atit, që është ndarë nga jeta pak kohë më parë, edhe pse kushdo mund ta gjejë veten në të, tregon ajo. Kënga është e kompozuar nga Mario Deda me vargje të vetë artistes. Është një këngë shumë personale, por edhe universale në të njëjtën kohë. Çdo njeri që ka humbur dikë në jetë mund ta gjejë vetën aty.

Genti Deda
Finalisti i “X Factor 4”, Genti ka pasur një histori të jashtëzakonshme me këtë talent show. Konkurrent i rikthyer për herë të dytë në këtë garë muzikore, vitin e kaluar Genti shkoi deri në finale dhe u rendit i dyti pas fitueses Edea Demaliaj. “Genti nga Lezha”, emri me të cilin u njoh në “X Factor”, Genti tanimë e ka nisur rrugëtimin artistik. Këtë vit ai prezantohet për hërë të parë në “Këngën Magjike” me këngën “Engjëll je ti”, me të cilën është klasifikuar në gjysmëfinale.
.jpg)
Ardit Çuni
Është po ashtu një nga këngëtarët pjesëmarrës në edicionin e 17-të të "Këngës Magjike", por vjen pas një eksperience të gjatë në muzikë. Pas pjesëmarrjes në “X Factor 1”, në të cilin Arditi pati një pozicion shumë të mirë dhe u konsiderua si zërat më të mirë meshkuj, karriera artistike do t’i hapte të gjitha dyert. Pas “X Factor”, u bë pjesë e studios "Sebastian Production", me të cilën punoi edhe edhe single-in e parë në VEVO. Ka marrë pjesë edhe në gara të tjera muzikore dhe është pritur mirë nga publiku, por edhe coverat e realizuar në bashkëpunim me këngëtaren e njohur Eltina Minarolli, kanë qenë një sukses më vete për të. "Stay", "Diamonds", "Russian Roulette" janë disa nga coverat që kanë marrë milina klikime në YouTube. Këtë vit, Arditi është prezantuar në “Këngën Magjike” me këngën “Me zemër”, me të cilën është klasifikuar edhe në gjysmëfinale.
.jpg)
Floriana Rexhepi
Arriti deri në pesë më të mirët në “X Factor 4”, megjithatë, siç tha edhe ajo vetë, “misioni” i saj sapo kishte filluar. E lidhur ngushtë me muzikën, me baletin dhe me insrtumentet muzikore, bukuroshja nga Prishtina u prezantua mjaft e ndrojtur në audicionet e “X Factor”, por gjatë rrugës fitoi vetëbesim dhe ia arriti mjaft mirë. Në krah kishte gjithmonë Miriam Canin, mentoren e saj, e cila i jepte kurajë dhe e vlerësoi gjatë gjithë rrugëtimit në talent show, por edhe më vonë. Vajza me zërin e bukur nga Prishtina kishte shumë për të treguar në këngë. Dhe e ka nisur mirë. Këtë vit, ajo vjen në “Kënga Magjike me këngën “Një milionë arsye”, me të cilën është klasifikuar në netët gjysmëfinale.
.jpg)
Manuel Moscati
Manuel Moscati është një këngëtar i njohur nga “X Factor 4”. Nga skena e “X Factor” në festivalin “Kënga Magjike 2015” ai erdhi me shumë ambicie, pse jo edhe për të marrë çmim. Italiani që spikati për zërin dhe talentin jo vetëm në gjuhën e tij, por edhe në gjuhën shqipe, vendosi të mos largohet nga fansat shqiptarë aq shpejt, madje në këtë edicion të Këngës Magjike, ai u klasifikua edhe një gjysmëfinale. Në Shqipëri, Manueli pa të gjitha hapësirat për të depërtuar në tregun muzkor. “Ti mos u ndal” titullohet kënga e tij pjesëmarrëse në Këngën Magjike, me një tekst gjysmë shqip dhe gjysmë italisht.