I ftuar në “6 ditë pa Ermalin”, Kryeministri Edi Rama ka folur për çështje të ndryshme me artistin e humorit, por në përfundim të emisionit ata u ndalën në një çështje më shumë sesa serioze.

“Shoku im më i ngushtë ka ndërruar jetë pak muaj më parë. Po flas për Dr. Florin”, ka nisur temën e bisedës Ermali, duke vazhduar që këngëtari kishte lënë pas edhe një djalë të vogël me sindromën Down. Mamaqi ka pyetur Ramën nëse ai do lejonte akordimin  e një pensioni artisti që mund ta marrë familja e Dr. Florit në këto kushte specifike, apo do i mbante inat, për këngën që Dr. Flori ka bërë kundër tij, pas prishjes së miqësisë. Më parë, dihet, këngëtari e kishte mbështetur Ramën duke realizuar edhe dy këngë bashkë.

“Unë e kam pasur mik”, tha Edi Rama dhe asgjë nuk ndryshoi, sipas tij, kur Dr.Flori nisi të mendonte ndryshe dhe i zhgënjyer pas marrëveshjes me LSI-në realizoi një këngë kundër Ramës . “Inati është e zeza e atij që e mban”, mohoi ai mundësinë e një inati, duke treguar që është menduar për një ndihmë ekonomike për të ndihmuar familjen e Dr. Florit që fëmija me nevoja të veçanta, “të rritet në paqe”.