Artistët jetojnë përgjithmonë. Dhe prindërit. Elton Deda, kujton të atin, kompozitorin dhe dirigjentin Ferdinant Deda, sot kur do të kishte ditëlindjen e 75-të.
"Sot do festonim 75 vjetorin tend. Do kishim edhe me shume vepra ndoshta. Ndoshta, duke kthyer nje gote diku do flisnim per Mozart apo Brams me sfond oriental kafeneje...Ne do te te kujtojme gjithmone si artisti unik qe nuk i vjen me kurre ketij vendi. "Ferdinant Deda ( 1941-2016 )" " Ky është dedikimi për të atin i Elton Dedës që nuk e shënon vitin kur artisti është ndarë nga jeta, sepse krijimet dhe kujtimi i tij vazhdojnë dhe, nëse nuk mund ta kthesh këtë ditë në festë, kujtime me vlerë gjen pa kufij!
Ferdinant Deda, u lind në Peqin, vazhdoi liceun artistik në Tiranë dhe pastaj studimet për dirigjim të nisura në Pragë i përfundoi në Tiranë ku dha jashtëzakonisht për muzikën shqiptare. Ai u nda nga jeta në moshën 62 vjeçare pas betejës me një sëmundje, që me gjithë ndërhyrjet e specializuara, nuk u mposht dot. Ai ka drejtuar orkestrën e RTSH-së për vite me radhë, ka kompozuar muzikë për filma, valle simfonike dhe disa këngë që kanë ngelur në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare. Ai është një nga muzikantët më të talentuar shqiptarë, i vlerësuar nga kolegët dhe publiku dhe është nderuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”. Ferdinat Deda ka dirigjuar orkestrën e RTSH në dhjetëra festivale duke mbetur një nga figurat më të rëndësishme të këtij institucioni, që i ka dhënë emrin e tij një prej mjediseve të veta.
I biri, Elton Deda dhe pse në një rrymë tjetër muzikore, ka trashëguar talentin dhe dashurinë për muzikën nga i ati, duke u bërë gjithashtu një figurë e spikatur e muzikës bashkëkohore në Shqipëri. Ai ishte drejtori artistik i Festivalit të fundit të RTSH-së, për të vazhduar një traditë të marrëdhënies së muzikantëve Deda me këtë festival dhe muzikën shqiptare në përgjithësi.