Nëse ka një media që ngjan me ajsbergun, ai është pa diskutim televizioni. Çfarë duket në programe të ndryshme televizive, është vetëm një pjesë e gjithë punës së bërë për realizimin e tyre.

Të ftuarit e rehatuar në kolltukë, insertet që rrjedhin, teksti, informacioni i grumbulluar për intervistat…Ky është produkti i punës së gazetarëve që nuk shfaqen asnjëherë, përveçse në fund të vitit, apo të sezonit. Por ne kemi vendosur t’jua prezantojmë. Është me vlerë. Të mos ishte, as ne nuk do na i kishin mësuar në vitet e para të shkollës çfarë ndodh me ajsbergun.

Po e nisim me Top Show-n, emisionin e mbrëmjes së vonë në Top Channel, në të cilin, për hir të së vërtetës, emrat e gazetarëve përmenden rregullisht nga drejtuesi Alban Dudushi.

I kemi shkëputur një foto nga një prej mbledhjeve të fundit në natyrë, të vitit të kaluar ku janë të pranishëm të gjithë, me profile dhe vjetërsi të ndryshme pune. Bieta, më e hershmja me 11 vjet, deri te Sadjela, që i është bashkuar stafit një vit më parë. Ndërsa ai me katër putra, Charlie, qenushi i Bietës, nuk mbulon asnjë fushë në veçanti, por kujdeset për anën shpirtërore të të gjithëve.

Nga e majta: Roland Spahiu, Sabina Veizaj, Esmeralda Keta, Sadjela Olloni, Ervin Kurti dhe Bieta Sulo

Bieta Sulo. Edicionin e shkuar, kaloi edhe në anën tjetër të vijës që ndan skenën me prapaskenën, megjithatë ajo i përket më shumë kësaj të fundit. Ka nisur të punojë për këtë program vetëm 2-3 muaj pas fillimit të tij, duke u marrë me politikën. Më pas është bërë redaktore përgjegjëse dhe aktualisht është kryeredaktore.

Sabina Veizaj është gazetarja që pas Bietës, numëron më shumë vite në Top Show, nga stafi aktual. Ajo është gazetare ekonomie dhe mbulon emisionet e kësaj natyre.

Roland Spahiu i është bashkuar i treti, për nga koha, stafit aktual. Ai mbulon kulturën, universitetin dhe showbiz-in.

Esmeralda Keta. Ndërsa stafi merr formë, Esmeralda merret me emisionet me tema sociale.

Ervin Kurti. Gazetar showbiz. Nëse kolegët kanë nevojë për ndonjë informacion të këtij lloji, mund të pyesin atë.

Sadiela Olloni, më e reja e stafit dhe pse me mbi 10 vjet përvojë në tv. Ka punuar në Alsat, Vizion Plus dhe redaktore te A1 Report dhe është aty prej një viti ku mbulon sektorin që nuk mund të lihet zbuluar, sidomos në Shqipëri, politikën.

Nga e majta: Rolandi, Bieta, Nasida, Sabina, Esmeralda, Ervini

Nasida Myftari, gazetare prej 10 vjetësh me disa largime dhe kthime, por tani i është bashkuar stafit si koordinatore.

Kur të shihni Top Show mendoni edhe për ta.