Aktorja turke Ebru Ozgan, e njohur për rolin e Dilaras në serialin “Fate të kryqëzuara”, në një intervistë të fundit, ka rrëfyer më shumë për jetën me peripecitë që e sollën deri në këtë moment të karrierës, si dhe për kompromiset që i është dashur të bëjë për të ecur sa më lart.

Pas një fëmijërie të vetmuar dhe të vështirë, e cila ka ndikuar shumë në jetën e aktores 37-vjeçare, edhe për shkak sepse e ndihmoi për t’i rritur imagjinatën, Dilara mbaroi studimet për Arte pranë Departamentit të Universitetit të Ankarasë në Fakultetin e Gjuhës dhe Historisë, pas të cilave doli në pah edhe formimi i saj si aktore. Pas shumë roleve në seriale televizive, sot është ndër aktoret më të kërkuara dhe më të paguara në Turqi.

Pjesëmarrja në mes të projektit “Fate të kryqëzuara” erdhi si një ftesë e papritur për të, të cilën nuk e mendoi gjatë, sepse “Dilara ishte personazhi që bën atë që jeta i ka mësuar dhe është e justifikuar në botën dhe karakterin e saj”. Të paktën kështu është shprehur aktorja në një intervistë për mediat vendase pak kohë më parë.

Megjithatë, diskutimi më i gjatë për këtë serial ka qenë “puthja televizive” me Xhihanin, aktorin kryesor të “Fate të kryqëzuara”. Largimi i Nurgul Yesilçay (Gylserenit) u përfol se ndodhi pikërisht për këtë arsye: aktorja nuk kishte pranuar të puthej në film – arsye që për hir të së vërtetës nuk u konfirmua as nga ajo dhe as nga personazhi kryesor. Madje, Xhihani, në një intervistë të mëhershme, e mohoi këtë fakt duke thënë se gjithçka ishte gënjeshtër dhe arsyeja e largimit të Nurgul ishte personale.

Nga ana tjetër, arsyen duket se e konfirmon vetë “zëvendësuesja” e Gylserenit në serial. Si aktore e industrisë komerciale të filmit, ajo thotë se nuk ndihet aspak e shfrytëzuar për rolet që luan: “Unë e shoh kinemanë si cikël jete, ku veç të tjerash, dashurojmë dhe vdesim. Nëse refuzon të puthësh kolegun në film, me frikën se kjo do të ndikojë për keq në lidhjen tënde reale, atëherë këtu fillon autocensura dhe dilemat, nëse duhet ta marr përsipër këtë rol apo jo”,– thotë ajo në një intervistë të fundit për mediat vendase, publikuar te Story.al, duke “ironizuar” për së largu Gylserenin. Më tej, Dilara rrëfen se nuk e aplikon autocensurën në serialet televizive: “E vërteta është që unë sillem gjithmonë në mënyrën që ndjej. Për fat të mirë, nuk mund të jetoj me mendimin e të tjerëve për mua.”

Ndarja me aktorin Nejat Isler është një histori e mbyllur për Ebru dhe tashmë i përket së shkuarës. Ajo nuk dorëzohet përballë sfidave të jetës: “Dashuria më bën ajo që jam. Ajo ndikon në kiminë time, edhe pse në periudhë të caktuara më jep çrregullime psikologjike. Dashuria me kimi më sëmur, por mendoj se dashuria është hallka kryesore e jetës.”