Sonila Meço, moderatorja e njohur dhe drejtoresha e informacionit në televizionin Agon Channel, është e vetmja shqiptare që do të bëhet pjesë e televizionit simotër në Milano, Agon Italia, i cili u përurua më 26 nëntor, në Milano. Një nga personazhet kryesore të Agon Channel, me drejtimin e programeve "Kontrata", "Dita e Shtatë" si dhe folëse e lajmeve, me programin ”La fortuna fa 90″ synon tregun televiziv italian. Game show i ri, që Sonila Meço do të drejtojë në kanalin italian, është një format që ajo e ka realizuar në sezonin e kaluar në Agon Channel, “Kalibri 99”. Në televizionin e ri, Sonila do jetë përkrah emrave të tillë si: Sabrina Ferrili, Pupo, Antonio Caprarica, Maddalena Corvaglia, Lory Del Santo, Luisella Costamagna, Simona Ventura dhe shumë të tjerëve.

Mbrëmjen e përurimit të këtij kanali, në një mbrëmje gala, Sonila Meço ishte bashkë me kolegë të tjerë dhe bashkëpunëtorë të televizioneve gjegjëse. Në një formë të shkëlqyer fizike, elegante, me një fustan të zi të gjatë nga "Gai Mattiolo" dhe këpucët “Gucci”, Sonila dukej thjesht e mrekullueshme.

Ceremonia e përurimit në Milano, nën drejtimin e Simona Ventura-s, kishte një të ftuar speciale: aktoren e famshme të Hollywood-it, fituesen e çmimit Oscar, Nicole Kidman.