Pas shumë spekulimeve që janë bërë në media ditët e fundit, Teuta Krasniqi dhe Blero Muharremi kanë deklaruar publikisht se janë ndarë. Zhurma mediatike e ka detyruar çiftin që të bëjë një deklaratë publike, duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve. Nga lajmet e publikuara në faqet e mediave kosovare dhe jo vetëm, Blero nuk ka dashur të prononcohet për jetën e tij private. Menjëherë pas publikimit të klipit të tij më të ri N.U.N (ne u ndamë), mediat iu vërsulën këngëtarit për të mësuar më shumë për marrëdhënien e tij me Teutën. Edhe konfirmimin nga mikesha e tij në Instagram, Afërdita Dreshaj, Blero e konsideroi një shaka pa kripë dhe kërkoi që mediat dhe gazetarët të merreshin më shumë me punën dhe arritjet e tij artistike. Me sa duket, presioni mediatik e ka detyruar çiftin të konfirmojnë zyrtarisht ndarjen. Ka qenë Teuta ajo që ka publikuar këtë deklaratë në faqen e saj të Facebook-ut, mbrëmjen e së shtunës, nëpërmjet së cilës u shpjegon dashamirësve të saj detajet. Ja çfarë shkruhet në deklaratën e tyre:
“Pas 5 vitesh martese, nga e cila jemi bekuar me një vajzë të mrekullueshme, ne të dy kemi vendosur t’i japim fund martesës sonë, por jo dhe asnjëherë përkushtimit dhe kujdesit ndaj vajzës sonë. Ajo është gjithçka për ne dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Tara do të jetojë me nënën e saj, por që vizitat nga babai janë të palimituara, natyrisht dhe kujdesi i tij, si deri me tani. Meqë është folur e përfolur rreth ndarjes sonë (para disa muajsh) e që ne atë kohë nuk kanë qenë ato fjalë të vërteta, tashmë kjo është e vërtetë dhe publike. Duke pas parasysh qe në të dy kemi një fëmijë të mrekullueshëm, atëherë i lusim shumë edhe gazetarët si dhe gjithë njerëzit që mbase kanë dëshirë për të komentuar rreth kësaj çështjeje, që për hir të faktit që kemi një fëmije të përbashkët si dhe familjet tona, mos të spekulojnë dhe të shpifin të pavërteta rreth ndarjes sonë, sepse megjithatë shumë njerëz mund të lëndohen. Nuk ka mes ne të dyve as mllef, as urrejtje, përkundrazi, ne vazhdojmë të kemi një raport të mirë mes vete, sepse kemi krijuar familje bashkë dhe kështu duhet të jetë një raport i shëndoshë. Njerëzit, kur martohen, asnjëherë nuk martohen me qëllim që një ditë të ndahen, por ja që ndonjëherë jeta sjell të papritura aspak të këndshme, prandaj shpresojmë edhe kësaj radhe në përkrahjen e gjithë miqve dhe dashamirësve tanë. Ju falënderojmë për dashurinë dhe mirëkuptimin tuaj”.