Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho ka fituar çmimin nga International Opera Awards në Reader`s Award. Pak javë pas shpalljes së nominimit të sopranos së famshme shqiptare, sonte ajo është shpallur fituesja nga mbledhja e votave në mbarë botën.

Lajmin e ka dhënë në faqen e tij vëllai i këngëtares, Fatos Jaho, në një postim të fundit në Facebook: “E mori! Ermonela Jaho, The best in dhe World! Sapo iu dha çmimi nga International Opera Awards. Më në fund një shqiptare fiton Oskarin e operës! Gëzoni me mua njerëz!" - shkruan ai në Facebook.

Me Jahon ishin konkurrentë edhe figura të shquara të artit rus dhe latin, ndaj edhe ky çmim është mjaft domethënës për të. Mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme edhe nga rrjetet sociale nga të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Aurela Gaçe ka uruar e para sopranon e famshme nga profili i saj, pasi ka mësuar lajmin: “Uaaauuu, çfarë suksesi Ermonela Jaho. Sapo ka marrë çmimin e madh nga Opera Awards. Shumë krenare” – shkruan ajo në Instagram. Më tej, edhe Sidrit Bejleri, Rona Nishliu, Arbana Osmani e kolegë të tjerë kanë shprehur uruar këngëtaren për këtë çmim të merituar.