Vendimet e fundit, drejtorët e ikur nga Top Channel, tashmë drejtues në RTSH
E Shtunë 9 Korrik 2016
Dje, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së u morën disa vendime për këtë radiotelevizion. Disa drejtorë departamentesh u shkarkuan dhe disa të tjerë e emëruan, te të cilët bëjnë përshtypje dy emra që kanë punuar për shumë vite në poste drejtuese në Top Channel, autori i shumë programeve Rezart Aga dhe ish-Drejtori i Lajmeve të Top-it, Bledar Zagonjori.
Të dy ata, janë larguar nga Top Channel në kuadër të disa reformimeve që ky televizion ka bërë vitin e fundit, për të nisur një karrierë të re në televizionin publik shqiptar.
Këshilli Drejtues i RTSH-së, në mbledhjen e djeshme, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi vendosi
Lirimin nga detyra të Drejtorit të Radio Tiranës, Drejtorit të Televizionit Shqiptar, Drejtorit të Aktualitetit, Drejtorit të Programit Satelitor, Drejtorit të Stacioneve Transmetuese dhe lënien e tyre në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme.
Me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues vendosi:
Emërimin e z. Rezart Aga, Drejtues i Njësisë së Programeve Radiotelevizive
Emërimin e z. Bledar Zaganjori, Drejtues i Njësisë të Programeve Tematike dhe Lajmeve
Emërimin e z. Henri Muça, Drejtues i Njësisë Teknike në RTSH.
Me ardhjen e një emri si Rezart Aga që ka qenë autori i parë I programeve si Big Brother, The Voice, apo Master Chef në Top Chanel, mund të pritet blerja e ndonjë patente ose gjallërim i programacionit të TVSH.