Për shumë katolikë, por edhe për tjerë, që kanë mundur të takojnë një Papë, kjo është një nga ato ngjarjet që ndodh një herë në jetë dhe si e tillë rikujtohet shpesh, sillet nëpër biseda, ngulitet si një pikë referuese që organizon kujtimet, madje edhe kur personat përballë janë shumë të famshëm. Nëse kjo u ka ndodhur gjatë karrierës, me siguri, në një album, apo në kornizë në mur, do gjendet një foto e atij takimi. Por Linda Ramës i duhet t’i ndajë me vite dhe vende fotot nga ky takim. Papa gjithmonë i njëjti, vendi dhe koha të ndryshme. Ja që bashkëshortes së Kryeministrit i ka ndodhur të bekohet tri herë, në tre vitet e fundit, nga Papa Françesku.

E vështirë t’i hysh një kërkimi për numrin e takimeve të bashkëshorteve të kryeministrave në të gjithë botën, me Papën e Romës, por me siguri Linda Rama, do të renditej shumë lart. Linda është bekuar për herë të tretë nga Papa Françesku këtë fundjavë, kur bashkë me Kryeministrin Rama dhe një delegacion shqiptar ishte e pranishme në Vatikan për të ndjekur nga afër shenjtërimin e Nënë Terezës.

Herën e parë, Papa e bekoi Linda Ramën kur ishte në pritje të djalit të saj, Zahos. Në atë kohë, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja, bëri një vizitë zyrtare në Vatikan, ku Papa preku barkun e Lindës.

Një vit më pas, në vizitën e tij në Shqipëri në shtator të vitit 2014, ai qesh i ngazëllyer kur Linda sjell Zahon, duke u kujtuar mirë që atë fëmijë e kishte bekuar kur ishte në bark.

Vjen bekimi i dytë për Lindën.

Dhe dy vjet më vonë, vjen edhe takimi i tretë i Linda Ramës me Papën. Të pranishëm në Romë, për koncertin për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe, një ditë më pas, në Vatikan, ku edhe do të ndodhte kanonizimi, çifti Rama u takua për herë të tretë me Papën e Romës. Si çdo person i famshëm,  Kryeministri e ndau foton e atij takimi, që u kthye në lajm dite, por për Linda Ramën ishte fotoja e tretë në një varg kujtimesh të shenjta me Papën. Dhe një bekim i tretë.