Emri i saj përkon me shumë këngë të njohura e të suksesshme. Eli Fara, e prezantuar prej shumë vitesh në skenën e muzikës shqiptare, tashmë numëron më shumë se 7 albume me një repertor të gjërë.
E ftuar në emisionin Rudina, edhe pse preferon të shfaqet rrallë në intervista, ajo foli për muzikën, vajzën, Maria dhe jetën e saj private. Sigurisht që nuk mund të mungonte një pyetje për të ditur se çfarë e plotëson Elin dhe çfarë i mungon nga jeta e saj.

“Jeta private është e qetë, ka shumë kohë që është e qetë. Njeriu mund të gjejë shumë gjëra në jetë që të përmbushë veten, shpirtin, mendjen”, ka thënë ajo. “Mua më shkojnë mbarë gjërat e tjera, Zoti nuk t’i jep të gjitha”, ka vazhduar me shaka.
Aktivitetet e ndryshme me të cilat ajo merret, siç thotë e mbajnë gjallë dhe e bëjnë të ndihet e plotësuar. Koha e saj mbushet me muzikë, këngë, miq të mirë dhe kryesisht me praninë e vajzës.
“Gjërat private nuk bëhen me plan. Unë jam natyrë e tërhequr, nuk bëj jetë natem, as krijoj shoqëri të mëdha, jam e tërhequr dhe ndihem rehat”, thotë ajo, duke mos përjashtuar mundësinë që dikush t’i vjedhë zemrën.
“Por nëse është i duhuri le të vijë, është i mirëpritur, sigurisht”, ka përfunduar ajo.