Nëse ai ta harron ditëlindjen mos u mërzit! Nuk është shenjë që nuk të do, tregon vetëm që ai e ka kujtesën të dobët. Nëse e kupton këtë dhe atë dozë romanticizmi që shumë femra e kërkojnë në marrëdhëniet e tyre, e krijon vetë, mund të jeni të dy të lumtur. Këtë bën Iliriana, bashkëshortja e regjisorit Altin Basha, i cili nuk është shumë i dhënë pas datave dhe surprizave. “Për vite me radhë kur Altinin e pyesnin kur e ka ditëlindjen gruaja, ai thoshte në 17 ndërsa unë e kam në 27”, ka thënë Ilriana, në studion e Pasdite në Top Channel. Ishte një intervistë e gjatë e Jonida Shehut nisur me regjisorin e Portokalli-së Altin Bashën, që vazhdoi me bashkëshorten dhe kolegen e tij, kostumografen e spektaklit të humorit, për t’u mbyllur me tre fëmijët e çiftit.  

Ata fillimisht, siç edhe e kanë treguar më parë, janë njohur duke u grindur dhe debatuar për punën afërsisht 14 vite më parë, kohë nga e cila marrëdhënia dhe familja e tyre është rritur, edhe pse sërish vazhdojnë të grinden njëlloj. E pashmangshme për dy artistë që rrahin mendimet çdo ditë në punën e tyre, ku në fund, Ilirianës i duhet të dëgjojë fjalën e regjisorit edhe pse jo gjithmonë është e bindur që ai ka të drejtë sepse ata të dy mund ta shohin të njëjtën gjë, sipas këndvështrimeve të tyre. Megjithatë vlerësimi nuk mungon asnjëherë, as dashuria. “Ndiej për Altinin njëlloj si kam ndier në fillim, asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë kostumografja nga Kosova e cila prej vitesh jeton në Tiranë, ku ka ngritur familjen e saj. I bie asaj, ndoshta si shumë grave në Shqipëri, të bëjë më shumë punë dhe disa njëherësh në shtëpi, mirëpo tashmë e ka njohur natyrën pak më të ngadaltë të Altinit dhe kjo nuk krijon probleme. Sigurisht edhe ai luan rolin e tij shumë thelbësor në familje, duke u kujdesur gjithmonë për të krijuar një kohë të përbashkët  për të qëndruar të pestë.

Edhe pse jo tipi i romantikut, Altin Basha nuk ka ngurruar ta shpreh hapur tërheqjen që ai ndien edhe sot, për bashkëshorten e tij. “Iliriana nuk ka ndryshuar shumë që nga koha e njohjes”, ka nisur të thotë Altini. “Përveç disa kileve…”, ka thënë ajo. “Te kilet jam tolerant”, ia ka pritur aty për aty Altini duke të kujtuar që është regjisori i një spektakli humori, por më pas është bërë serioz. “Nuk më pëlqen vetëm pamja e Ilirianës, por edhe talentet dhe mendimet e saj. Vetëm më vjen keq që nuk i kemi krijuar kushtet që ajo t’i kushtohet profesionit të saj të parë, që nuk është kostumografia, por piktura. Mua më shumë sesa çdo gjë që bën, Iliriana më pëlqen kur pikturon, ka këtë marrëdhënien me ngjyrat që unë nuk e kam dhe më intrigon shumë te ajo”, ka thënë Altini.

Është ky një nga sekretet e marrëdhënieve jetëgjata, të njohësh dhe të vlerësosh potencialin e tjetrit dhe nëse brenda atij potenciali ka ende mister, tërheqja do të jetë gjithmonë e më e fortë. Dhe Altini dhe Iliriana, pavarësisht angazhimit shumë intensiv në punë dhe në familjen e tyre, arrijnë të krijojnë kohë për vete dhe artistin brenda vetes. “Me ndihmën e gjyshes, ne i lëmë fëmijët ndonjëherë për disa ditë dhe bëjmë një udhëtim jashtë Shqipërisë, shohim një shfaqje, shëtisim…”, tha Ilirjana duke treguar mënyrën si ushqejnë marrëdhënien e tyre, por edhe shpirtin e artistit.

Prindërve, në pjesën e tretë të intervistës iu janë bashkuar edhe tre fëmijët, për të cilët çifti Basha ka zgjedhur emra shqiptarë, Engjëllushe, vajza e madhe, Erblini, fëmija i dytë, i lindur pak ditë para sesa Engjëllushja të mbushte një vjeçe dhe Rron, djali i vogël me një farë diference moshe me dy më të mëdhenjtë dhe ëmbëlsira e familjes.

Fëmijët kanë folur për marrëdhënien me prindërit duke iu shprehur edhe një mendim atyre. “Unë u kërkoj prindërve të mos ndryshojnë kurrë, sepse edhe kur nevrikosemi apo kemi një problem, ne sërish e kalojmë dhe mbështetemi te njëri tjetri, kështu që dua t’u them vetëm të mos ndryshojnë karakterin sepse për mua janë të përkryer kështu siç janë”, ka thënë Engjëllushja, duke e përlotur të ëmën, që më vonë e rimori sërish veten me përqafimin e Rronit.

Në të vërtetë, Rroni ua shpërndau të gjithëve një përqafim në mbyllje të emisionit duke e treguar që është ëmbëlsira e familjes.