Jurgen Gjasula është një nga futbollistët shqiptarë që ushtrojnë karrierën e tyre jashtë Shqipërisë. Ai është larguar me familjen vite më parë në Gjermani, ku tani luan me Greuther Fürth. Aktualisht është i dëmtuar, por pret të kthehet në fushë së shpejti, ndërsa me Kombëtaren Shqiptare kohët e fundit nuk është aktivizuar dhe për këtë mendon që vendimet në Shqipëri merren me interes.

Megjithatë, në një intervistë për revistën Who, ai ka folur veç gjendjes aktuale dhe Kombëtares sonë, edhe për jetën private, për të cilën, duke qenë që është një djalë shumë tërheqës, ka interes të veçantë. Gjasula ka treguar që aktualisht nuk ka një vajzë në zemrën e tij.

“Deri tani të vetmet femra që kam në zemër janë mami dhe motra. Akoma nuk ka ndonjë vajzë tjetër”, thotë ai për Who, teksa po të shohësh fotot e tij, dallon që emrat e personave të familjes i ka tatuazh në kraharor.

30-vjeçari nga Tirana shprehet i surprizuar që ai njihet dhe pëlqehet nga vajzat në Shqipëri. “Të them të drejtën këtë nuk e kam ditur. Nëse është vërtetë kështu normalisht që më pëlqen. Besoj që çdo mashkulli do t’i pëlqente kjo gjë”, thotë Gjasula, edhe pse nuk është krejt i pamësuar me këtë fakt sepse dhe në Gjermani, siç ka pranuar duke qeshur “e gjuajnë nga pak”.

Edhe Gjasula ka përsëritur formulën e zakonshme që do donte të martohej me një vajzë shqiptare, megjithatë jetës nuk i dihet. Megjithatë, siç ka lënë të kuptohet, është ende shpejt për martesë.