Ajo është zgjedhur Miss Albania në vitin 1999, plot 18 vjet më parë. Ishte i pari çmim që i dorëzohej një vajze jashtë kufijve të Shqipërisë, një shqiptareje të Kosovës. Me emrin e përsosur për të mbajtur një kurorë bukurie, Venera, vajza bionde nga Prishtina u shpall Miss Albania.
Që nga ajo kohë, publiku shqiptar mund të ketë dëgjuar pak ose aspak për Miss Albania-n nga Kosova e cila ka ndjekur rrugën e modës dhe dizajnit duke u formuar për vite me radhë si stiliste.
Venera Mustafa ka një markë të sajën fashion me qendër në Prishtinë, te e cila ka konkretizuar pasionin e madh për dizenjimin dhe vitet e gjatë të shkollimit. Pas Miss Albania-s ajo ka nisur të studiojë për Arkitekturë, duke e lënë konkursin e bukurisë si një kujtim të së shkuarës dhe duke vazhduar të ndjekë pasionin e saj në fushën e dizajnit. “Pas Miss-it, kam hyrë në Universitetin e Arteve në Prishtinë ku kam studiuar për skulpturë sepse nuk kishte një degë për dizajnin”, ka treguar ajo gjatë programit Pasdite në Top Channel.
Venera, ka qenë, që fëmijë, e apasionuar pas dizenjimit të veshjeve, pak edhe e ndikuar nga e ëma, e cila është piktore, por edhe një nga fashionistet më të vjetra të Prishtinës, siç ka thënë ajo në studion e Top Channel.
Dega e skulpturës e ndihmoi Venerën në disa aspekte, edhe për të njohur anatominë njerëzore, por më pas njohuritë specifike për modën i ka marrë një shkollë në Paris, për Fashion Design. “Kam studiuar dhe punuar për katër vite e gjysmë në Paris, më pas kam shkuar 1 vit në Kopenhagen ku kam punuar me një stilist tjetër pak më ekscentrist. Kombinimi i klasicizmit të Parisit me ekscentrizmin e Kopenhagenit më ka ndihmuar dhe më pas kam krijuar stilin tim. Kam ardhur në Prishtinë dhe kam hapur linjën time në vitin 2011”, ka treguar ajo.
Që prej vitit 2011, Venera ka krijuar 9 koleksione “Ready to Wear”, të cilat janë bërë të njohura për ngjyrat natyrale që ajo përdor, prerjet, por edhe konceptet e zgjedhura. Një koleksion quhet “Ë”, si shkronja e alfabetit shqip. “E kam zgjedhur sepse shumë persona e shmangin shkronjën Ë dhe mendova ta quaj ashtu koleksionin sepse është dhe një shkronjë shumë e bukur”, ka sqaruar ajo.
Kjo e ka bërë edhe më të njohur punën e Venerës, madje ndonjëherë në Kosovë duket se sapo përmendet shkronja ë, kujtojnë stilisten.
Venera ka treguar që është dëshira e saj për të mos qenë shumë e pranishme në media, por për të folur përmes punës. Kjo qasje diskrete dhe e tërhequr u kuptua edhe kur theksoi modestinë si një virtyt të preferuar dhe veçoi, ndër markat e modës, pikërisht Maison Margelia, për faktin që kjo markë nuk identifikohet me stilistin, sepse ai ka zgjedhur të mos ekspozohet…
Duket se koha kur Venera shfaqej në skena të mëdha ka përfunduar me Miss Albania-n 1999, tani ia ka lënë radhën artit dhe veshjeve të krijuara prej saj.