Ministrja e Mbrojtjes ka zgjedhur t’i kujtojë mësuesit e saj të parë përmes publikimit të dëftesave të hershme. “Gëzuar 7 Marsin të gjithë atyre që më kanë bërë të jem kjo që jam. Si dhe atyre që nuk i kam njohur, por që ushtrojnë profesionin më fisnik, atë të mësuesit”, ka shkruar Mimi Kodheli.
Ajo që vihet re në këto dëftesa të zverdhura nga koha, por ende të ruajtura dhe pse janë të 35 viteve më parë, janë notat 10-a të Mimi Kodhelit në shumicën e lëndëve. Vetëm një lëndë ka qenë pika e dobët e Mimit, vizatimi. Në klasë të dytë nuk ka arritur ta mbyllë me më shumë sesa nëntë vitin shkollor, ndërsa në klasë të tretë, pas semestrit të parë, ka arritur që edhe vizatimin ta ketë 10 në dëftesë duke e pasur kështu dëftesën vetëm me 10-a në fund të vitit.
Por bashkë me notat e mira, Mimi zbulon edhe diçka tjetër me këtë postim, për të gjithë ata që kanë thënë që emri i saj i vërtetë nuk është Mimi. Ja që emri i minstres ka qenë ky, siç shihet në dokumentet e hershme, kur ajo mbante mbiemrin e familjes së saj Vata. Siç ka thënë Mimi, i ati ia ka vënë emrin sipas personazhit të operës “La Boheme”.