Këto ditë janë të mbushura me dedikime zemre, për mësuesit dhe gratë e jetës. Sot, ministrja shqiptare ka zgjedhur ta kujtojë 8 Marsin duke falënderuar njerëzit që i kanë përkthyer në shqip kuptimin e kësaj dite. Dhe është kaq bukur dhe kaq e plotë, kur ata janë dy, një burrë dhe një grua, prindërit e çdo vajze.
Mirela Kumbaro, përkthyesja e njohur shqiptare dhe ministre e Kulturës, e ka pasur këtë fat dhe sot ka zgjedhur të flasë për 8 marsin personal për një Burrë dhe një Grua.
“…për të falenderuar nënën time dhe babanë tim, dy të shtrenjtët e mi arsimtarë, që më mësuan se e para ishte Fjala, se sa shumë duhet të luftosh për t’ia dalë me aftësinë e mendjes e me forcën e Fjalës; që më dhanë, para shkollës, mësimin më të çmuar se nuk ka emancipim të shoqërisë nëse gruaja dhe burri nuk janë bashkë në atë luftë; që më përkthyen në shqip kuptimin e 8 Marsit jo thjesht si një festë, por si një ditë, ekzistenca e së cilës tregon se rruga drejt qytetërimit është e gjatë; që më treguan, pa e thënë, se çfarë është një dashuri e madhe mes burrit dhe gruas.
U kërkoj ndjesë atij në qiell, asaj në shtëpi, për lëndimet që u shkakton dhuna verbale e fyerjet që bien ndonjëherë mbi vajzën e tyre vetëm pse ka pranuar të jetë në politikë, por duke i bërë të ndjehen krenarë për çdo ditë të punës time, vajzës së tyre. Të tjerat shkojnë e vijnë…Të dua shumë Ma!”, shkruan Kumbaro.
Fotoja e zgjedhur, si skenë e një filmi të vjetër, është një fragment shumë i bukur nga një familje pa role sterotipike, ku mamaja punon mbi tryezë dhe babai ushqen Mirelën e vogël.