Alban Dudushi dhe Bieta Sulo po presin fëmijën e tyre të parë bashkë, një vëlla për Joelle, vajzën e Albanit nga martesa e mëparshme, e cila ka zënë 50 për qind pjesë te fëmija që po vjen. Albani dhe Bieta duhet të ndajnë gjysmën e tyre…Në kopertinën e revistës Who, gazetari i njohur dhe partnerja e tij, kanë rrëfyer pritjen e fëmijës, që nëse për Albanin është rikthim në përvojën e parë, për Bietën është ende pak ëndërr sepse po e provon për herë të parë. Megjithatë, pa dyshim, është një ëndërr shumë e bukur, të cilën ajo e ka integruar në jetën e këtyre muajve, për ta bërë pak më të kujdesshme e të shëndetshme, por pa hequr dorë aspak nga rutina e mëparshme.

Për Who, Bieta dhe Albani kanë treguar që do tregohen “shqiptarë” në rritjen e fëmijës gjatë periudhës së parë duke e mbajtur krevatin e tij në dhomën e tyre, në krahun e Bietës për të qenë më konkretë. Bieta, sigurisht, që do t’i kushtohet me kohë të plotë në këtë periudhë, që mesa duket do jetë më e vështira e viteve të fundit për Albanin në punë, ku është mësuar me mbështetjen e kryeredakores, sidomos për Magazine, si ka thënë ai, ku Bieta mbikqyrte nga regjia. Megjithatë nuk do të zgjasë shumë. Bieta parashikon që të kthehet sezonin e ardhshëm televiziv, pak muaj pas lindjes.

Ajo duke u kthyer pas në kohën kur mësoi që priste një fëmijë, ka treguar sesi ia tregoi Albanit.

“Albani me makinën e tij unë me timen, rrugës nga Top Channel për në Bllok”. I jap sinjal me dritat e gjata dhe hapim krahun pa mundur të prisja për të mbërritur në destinacionin për ku ishim nisur. Ndërkohë që mendja dhe zemra prej mëngjesit ishin pushtuar. Pavarësisht se kisha marrë vendimin të sigurohesha me një analizë gjaku, parkoj makinën time e hipi në të tijën. “Çfarë ka mi?”, më tha i hutuar për atë vendim të papritur. “Dëgjo, i thashë, më duhet të të jap këtë” dhe i zgjas një kuti stërgjatëshe. Duke e hapur nuk po kuptonte asgjë. “Termometër?”, më tha. “Shikoji dy vizat”, i thashë. Dhe aty u bë i qartë dhe për të lajmi që unë kisha marrë që në mëngjes”, thotë Bieta për Who.

Personi i tretë që e mësoi ishte vajza e Albanit, Joelle. Asaj i tha i ati, një ditë teksa dilnin nga kinemaja ku kishin qenë të dy, ndërsa Bieta ishte në shtëpi. Ai i tregoi që së shpejti do të bëhej me vëlla. “Edhe vetë u befasova nga entuziazmi i saj”, ka thënë Albani për Who. Me sa duket xhelozia që ai kishte parashikuar që një fëmijë rritur me të gjithë vëmendjen mbi vete për shumë kohë, nuk funksionon pas një farë moshe. Joelle është 13 vjeç dhe ajo, ashtu si prindërit, mezi po pret të njihet me djalin që po vjen.

Për emrin, sipas Bietës, ende nuk kanë vendosur një që t’i kënaqë plotësisht, por karakteristikat janë shqiptar, i shkurtër dhe me kuptim. Është ndër punët e fundit në përgatitjet për lindjen e fëmijës.