Përgjatë 17 viteve të fundit, në showbiz-in shqiptar ka pasur shumë ndryshime mes personazheve që kanë hyrë e kanë dalë nga vëmendja e publikut. Një pjesë jo e vogël, pasi kanë gëzuar statusin e nënës, janë tërhequr nga skena muzikore për t’iu përkushtuar me kohë të plotë familjes, ashtu si shumë të tjera janë rikthyer edhe më vrullshëm pas lindjes së fëmijëve duke gjetur tek ata frymëzimin për të vijuar pasionin për muzikën.

Sjellja në jetë e një fëmije ka qenë edhe për shumë këngëtare shqiptare arsyeja kryesore e tërheqjes nga skena muzikore. Po çfarë ndodh më pas me to?

Në një speciale të përgatitur nga Prive, në fokus janë vendosur një pjesë e mirë e këngëtareve shqiptare para dhe pas shtatzënisë, ato që kanë sjellë në jetë një fëmijë në kohën e tyre ideale, por edhe ato që kanë “shfrytëzuar” trendy-n për ta “përdorur” këtë fazë të jetës edhe për marketing.

Jehona Sopi, Adelina Thaçi, Jonida Maliqi, ato që disa vite më parë ishin në kulmin e karrierës, pësuan një ndryshim të dukshëm pasi fituan statusin e nënës. Dalëngadalë, ato u tërhoqën nga tregu muzikor për t’iu përkushtuar fëmijëve. Jonida ka lënë pak anash karrierën muzikore që kur është bërë nënë e djalit të saj Dan, madje një nënë mjaft e përkushtuar ndaj të birit dhe fanatike për ruajtjen në maksimum të privatësisë së tij.

Po kështu edhe Jehona Sopi, Adelina Thaçi dhe emra të tjerë kanë ndryshuar rrjedhën e jetës sapo janë bërë nëna.

Në specialen e përgatitur nga Prive, janë vënë në fokus edhe shumë nëna të reja që jo vetëm nuk kanë ndër mend të ndalen, por nuk kanë pësuar as ndryshimin më të vogël pas sjelljes në jetë të fëmijëve, përkundrazi koncertet kanë qenë më të shumta, projektet muzikore po ashtu.... ndërkohë që fëmijët rriten.