Joana Kaimi është bërë e njohur që në adoleshencë. Talenti i saj në violinë, kombinuar me mënyrën alternative që ajo paraqitej në skenë si të ishte instrumentiste e muzikës moderne dhe pse mbante në dorë violinën klasike, e bëri të dallonte që te Star Academy ku fitoi çmim të parë.
Më pas ajo do të ishte protagoniste edhe në një video të Albi Nakos dhe Klaudia Pepës që vallëzonin tango, e cila u bë e njohur për shkak se kishte qindra të tilla që shoqëronin këngët, por ishte e pazakontë që të realizohej një klip me qendër vallëzimin.
Joana Kaimi ka qenë edhe pjesë e skenës së Eurovisioni-t në vitin 2007, si instrumentiste, gjithmonë me stilin e saj të veçantë të interpretimit, por më pas, ajo është shfaqur gjithmonë e më rallë.
Aryseja, asgjë më shumë sesa rikthimi në rrugën klasike të violinës. Ajo ka përfunduar Universitetin e Arteve dhe është prej vitesh pjesë e Orkestrës së RTSH-së, duke qenë edhe violinë e parë, në disa koncerte. Sigurisht, koncerte të tilla janë më pak televizive, krahasuar me ato të muzikës moderne, por Joana Kaimi, siç ka treguar në një intervistë para disa kohësh, ndihet shumë mirë me ajrin e muzikës klasike. Eksperimentet patën kohën e tyre, por tani kanë mbetur pas.

Ndërkaq, për Joanën ka pasur edhe ndryshime të tjera. Më shumë sesa një vit më parë, ajo dhe partneri i saj janë bekuar me një vajzë, Sarën, e cila është kthyer, si për të gjithë ndodh, në qendrën e botës për Joanën, siç e vërtetojnë edhe fotot e saj, duke shëtitur të bijën, duke e përkëdhelur, duke festuar ditëlindjen e saj.


Kohët kur Joana luante rrok me violinë duken vërtet larg para këtyre pamjeve ku duket sikur violinat luajnë melodi të ëmbla bebesh.