Në një dalje për mediat, dje, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni bëri publike, më shpejt sesa zakonisht, kriteret e pranimit në këtë universitet për vitin e ardhshëm akademik.
Vitin e kaluar, mes maturantëve, pati shumë pakënaqësi mbi mënyrat e reja të pranimit në universitet sipas rregullave të Reformës së Arsimit të Lartë. Tashmë duket se ka pasur një reflektim dhe i pari që kërkon ndryshimin e këtyre rregullave është Universiteti i Tiranës. Pika më e kundërshtuar ishte pamundësia e maturantëve për t’u çrregjistruar nga një degë, nëse, gjatë procesit, dilnin fitues të një dege tjetër më të dëshiruar. Kjo propozohet të ndryshohet nga Univeriseti i Tiranës, i cili do i kërkojë Ministrisë së Arsimit të drejtën e maturantëve për t’u çrregjistruar nga dega ku janë regjistruar për të mos mbetur pa shkollë të lartë, nëse gjatë procesit të pranimeve arrijnë të kapin një vend në degën që ka qenë synimi i tyre fillestar.
Gjithashtu Koni bëri të ditur edhe kriteret e pranimit në fakultete të ndryshme të UT-së. Në Fakultetin e Filolologjisë dhe Historisë do i jepet 80 për qind peshë mesatares së tre viteve të shkollës së mesme dhe 20 për qind provimeve të maturës, në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, do i jepet 50 për qind peshë mesatares së tre viteve dhe 50 provimeve të gruplëndëve. Ndërsa Fakulteti i Shkencave Sociale do të ketë një skemë më të larmishme, me 50 për qind të peshës nga mesatarja e viteve të gjimnazit, 40 nga tre provimet e maturës, Matematikë, Gjuhë- Letërsi dhe Gjuhë e huaj dhe 10 për qind nga një provim me zgjedhje.
Koni tha që gjatë këtij viti pritet të ndodhë edhe transferimi i studimeve nga universitetet private në Universitetin e Tiranës.
