Aktori i mirënjohur shqiptar, Gjergji Trola ka ndërruar jetë në moshën 45 vjeçare. Trola ka pësuar sulm në zemër teksa ishte ulur në një kafene afër Shallvareve, në Tiranë.
Burime për dritare.net thanë se ai ishte ulur në këtë kafe, ku kishte lënë takim me miq të tij, të cilët e gjetën me kokën mbi tryezë. Askush përreth nuk kishte kuptuar asgjë.
Aktori ka lënë pas djalin e tij të vetëm, në klasën e tretë.
Gjergji Trola ka marrë pjesë në shumë produksione dhe së fundmi ka luajtur në serialin “Familja”, të regjisorit Ylli Pepo. Një prodhim i RTSH, në të cilin Trola ishte në rolin e babait, i cili ishte taksist në ministri. Një kontribut shumë të madh Trola ka dhënë edhe në zbulimin e talenteve të reja, nëpërmjet organizmit të festivaleve teatrore. Trola ishte drejtor i Festivalit Mbarëkombëtar i Shkollave të Mesme dhe Drejtor i Festivalit të Tiranës.
Me natyrën e tij optimiste dhe solidare, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzave të ndryshme të qytetit, veçanërisht në temat mjedisore, ku ishte pjesë e organizatës Ecovolis. Shumë artistë të njohur kanë shprehur dhimbjen për këtë humbje.