Është ndarë sot nga jeta, në moshën 67 vjeç Françesk Radi. Muzikanti kishte pësuar një hemorragji cerebrale dhe ndodhej në komë në spital që nga e hëna e kaluar.
Ai ka qenë një nga muzikantët unikë të Shqipërisë, me zë karakteristik që ka fituar zemrat e publikut që në këngët e para, “Adresa” dhe “Biçikleta” dhe krijimtaria ka qenë po aq e freskët dhe unike edhe në vitet e mëvona, me këngë si “Telefonatë zemrash” dhe “Burgu i vjetër”.
Publiku arrin të sjellë në mendje lehtësisht refrenet e këngëve të Françesk Radit, që kanë sjellë një ndryshim në muzikën shqiptare.
Rritur në një familje me probleme në biografi, Franko, si dhe vëllai i tij i madh, aktori Ferdinand Radi që është ndarë nga jeta 14 vjet më parë, mundën të njohin sukses me talentin e tyre.
Françesku ka qenë një personalitet i artit, televizionit publik shqiptar, por dhe një bashkëshort, prind dhe mik që do të lërë shumë mungesë në zemrën dhe jetën e të afërmëve me këtë largim.
Martesa e tij me folësen Tefta Radi është ndër më të simpatizuarat në jetën publike shqiptare. Ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Gjithmonë Françesku do të kujtohet për mirësinë dhe muzikën e tij, për komunikimin miqësor dhe këngët, me zërin karakteristik dhe kitarën që e shoqëruan gjithë jetën.