Ishte mëse e parashikueshme. Shqipëria kohët e fundit ka pësuar katër humbje duke humbur pikë dhe vende edhe në renditjen e FIFA-s. Sot Federata Botërore e Futbollit ka publikuar renditjen e radhës që ajo publikon disa herë në vit dhe Kombëtarja ndodhet në vendin e 66-të, pasi ka rënë 12 vende nga hera e fundit.
Edhe Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie me 6 vende duke u renditur në vendin e 177-të.
Nga skuadrat e grupit të Shqipërisë, rritjen më të madhe me vende e ka pasur Maqedonia e cila renditet 33 vende më sipër.
Për sa u përket skuadrave të mëdha, për t’u theksuar është që pas 7 vitesh Brazili rikthehet në majë të renditjes. E dyta është Argjentina dhe në vend të tretë ekipi gjerman.
Renditja paraqet në vendin e 10-të Spanjën dhe në të 12-tin Italinë, të dyja në të njëjtin grup me Shqipërinë.