Deklarata e deputetes së re të Parlamentit, Reme Lala e cila kandidonte për PDIU në Dibër, ka ngjallur shumë konfuzion në media. Teksa ajo tha që nuk kishte parti dhe ishte gati të bashkëpunonte me Edi Ramën për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, të cilën e kishte një nga pikat e premtimit në fushatën në Dibër, mediat nisën të shkruanin për një braktisje të PDIU-së dhe humbje mandati për këtë forcë politike.
Megjithatë, ka qenë gjithçka keqkuptim. Reme Lala ka sqaruar sot përmes një statusi të gjatë, që shprehjen "nuk kam parti" e ka përdorur gjatë gjithë fushatës, jo për t'u distancuar nga PDIU, por për t'u treguar qytetarëve dibranë që ajo përfaqëson vetëm ata. Në interes të tyre, sipas Lalës, është e gatshme të bashkëpunojë me atë që ka timonin.
Statusi vazhdon me thumbime në drejtim të medias, që sipas saj nuk e lanë t'ia nisë mbarë.
" Të dashur dibranët e mi!
Iu falenderoj përzemersisht për mbeshtetjen. Në të gjithë fushatën tonë, kam thënë që unë nuk kam parti, partia ime jeni ju, Dibra dhe dibranët. Për respektin e dibranëve, për të sqaruar dhe disa dibranë që mund të jenë keqkuptuar, për t’iu kthyer pergjigje dhe disa analistëve, gazetarëve apo shtriganëve që janë mësuar të ndyjne gjithçka, janë mësuar të shtrembërojnë e të deformojnë, e për t’i kthyer përgjigje dhe atyre që merren me tepsia e me kusia, më duhet ti them disa fjalë.
“Do me lini tia nis mbarë…..?
Siç duket përkthimi shqip – shqip në 2017 rezultoka më i veshtiri”
Mësojeni nëse ju ka humbur nga dija,
rifreskojeni nëse është mykur nga delirët, përpunojeni nese shiteni siç jeni.
Faleminderit Dibra ime që hodhe gurin e parë në themele , për të ndërtuar eposin e ri të dibranëve.
Faleminderit qe zgjodhe per ta faqosur ne librat e historise, ne korpusin e ndritur qe do leme trashegim.
Faleminderit dy burrave Aqif Rakipi e Bujar Muça. I uroj fitoren dy burrave fisnikë, deputetëve të Elbasanit. Unë jam në mes të tyre, si deputete e PDIU-së dhe nuk kam kaluar me askënd.
Faleminderit për buqetën e parë të mirëseardhjes,po ashtu rishtarëve të ekranit që vëmendjen e marrin nga hedhja gjyleve me ujë,me siguri lagin vetëm kembet e veta. Nuk dinë të jenë as guximtar deri në fund. Bëjnë perifrazime, gjasme simbolika,metafora me mimika të frikësuara,gjuajnë me shigjeta kauçuku në frontin ku fortifikimet janë prej çeliku.
Gjykimet në etër nuk kompleksojnë njeri.
Velat i ngrita për të lundruar drejt , qetë , faleminderit Zotit që erën e kam në favorin tim.
Po ua theksoj të gjithëve, Dibra e dha verdiktin e vet. Tani me ngelet mua, që në respekt të dibranëve, të bej realitet fillimin e Rrugës së Arbërit brenda këtij viti. Po Rruga e Arbërit me Edi Ramen bëhet, se Edi Rama e ka timonin! Unë si dibrane, jam e gatshme të bashkëpunoj me këdo qe realizon premtimin e Rrugës së Arbërit. Dibra ka më shume rëndësi se ideologjitë.Edhe një herë faleminderit shume Dibra, Dibrës e dibraneve iu detyrohem e do t’iu përkushtohem përjetë!", shkruan Lila në faqen e saj në FB.
Reme Lala është një nga tre deputetet e PDIU-së deri në këtë çast, në Parlamentin e ri.