Festimi me shqiponjë nga Xhaka dhe Shaqiri është kthyer çështje dite për sportin dhe mediat në Zvicër, por edhe në Serbi. Politika është ndarë nga bota e sportit, sepse një pjesë e saj e pranon, por nuk e justifikon gjestin e dy futbollistëve shqiptarë. Por pjesa dërrmuese e sportit, që nga Federata e Futbollit e deri te Ministria e Sportit kanë shprehur mbështetjen ndaj Xhakës dhe Shaqirit. Peter Gillieron, presidenti i Federatës së Futbollit, deklaroi se ka gjasa që kjo ngjarje ta bashkojë më shumë kombin dhe ekipin e Zvicrës. Ndërsa trajneri Petkoviç ka biseduar me lojtarët dhe nga fotot e publikuara në media, duket se i ka kuptuar fare mirë ndjenjat e futbollistëve me origjinë nga Kosova. Edhe ministri i Sporteve, Guy Parmelin, deklaroi se Zvicra është një vend me shumë gjuhë dhe kultura dhe që të gjithë bashkëjetojnë në mënyrë perfekte.
Ndërkohë, FIFA ka nisur hetimin për dy lojtarët e Zvicrës me origjinë shqiptare për mënyrën e festimit të golit. Xhaka dhe Shaqiri rrezikojnë të penalizohen me dy ndeshje këtë Botëror.
Por krahas këtyre ndasive që duket se janë kthyer më shumë në çështje politike, një reagim i papritur ishte ai i gazetës së famshme zvicerane “Blick”, e cila, në një postim të sajin, duke mbështetur dy futbollistët shqiptarë, u ka kërkuar ndjekësve të dërgojnë pranë kësaj redaksie foto me shqiponjë:
“Na dërgoni një foto me simbolin e shqiponjës në emailin [email protected] (mailto:redaktion@blick ose si mesazh në Facebook. Jemi të lumtur!” – shkruhet në postimin e Blick.
E gjithë Zvicra është në mbrojtje të shqiptarëve edhe për faktin se sipas mediave vendase, provokimi ka ardhur fillimisht nga ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili mësohe të ketë thënë se “nuk dihet ndaj kujt do të luajmë, kundër kombëtares së Zvicrës, Shqipërisë apo asaj të Prishtinës…”