Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, shkrimtari, skenaristi, publicisti i njohur Kiço Blushi.

Kiço Blushi ka lindur në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse, filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit III.

Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë. Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qënë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste. Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive.