Dy Fan Zone do të ngrihen në Tiranë për tifozët e Romës dhe Fejnordit që nuk mund ta ndjekin finalen e Conference League nga stadiumi. Lajmin e mirë për tifozët e dy skuadrave e dha kryebashkiaku Veliaj, i cili tha se ndeshja mund të ndiqet tek Amfiteatri i Tiranës dhe pedonalja ‘Murat Toptani'.

Kemi përgatitur Amfiteatrin e Liqenit, ku do të vendosen tifozët e Romës, të cilët do ta ndjekin ndeshjen përmes ekraneve të mëdha, nëse nuk kanë bileta. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me tifozët e Feyenoord, që vijnë nga Roterdami, te pedonalja e Tiranës”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se, nga rezervimet, parashikohet që Tiranën në ditën e finales ta vizitojnë një numër shumë i madh tifozësh që përkrahin dy skuadrat finaliste.

“Këtë javë presim nga 50 deri në 100 mijë tifozë, të cilët ndoshta do të vijnë edhe pa bileta, vetëm për atmosferën”.

Për të lehtësuar lëvizjen e tifozëve në kryeqytet, qeveria ka vendosur që e mërkura të jetë ditë pushimi për të gjitha institucionet publike në qarkun e Tiranës, ndërsa Bashkia e Tiranës e ka caktuar atë një ditë pa makina.