Kryeministri Edi Rama ka bërë publike thirrjen e re të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, duke u ofruar të rinjve një mundësi konkrete për të hedhur hapat e parë në administratën publike.
Programi synon të angazhojë të rinjtë e moshës 21–29 vjeç në një përvojë praktike 3-mujore, nga shtatori deri në dhjetor 2025, në institucione dhe agjenci shtetërore.
-600 vende praktike do të jenë në dispozicion në administratën publike dhe institucionet shtetërore.
-Praktikantët do të marrin trajnim të dedikuar nga ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike).
-Gjatë periudhës së praktikës, do të ofrohet edhe kompensim financiar.
-Pas përfundimit të praktikës, 250 të rinj do të kenë mundësinë të përfitojnë një kontratë pune 1-vjeçare në administratë.
Afati për aplikim është deri më 10 gusht 2025.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur qeveria po kryen një riorganizim në nivel vendor.
Pak ditë më parë, Rama shkarkoi 21 drejtorë të bashkisë Vlorë, duke i cilësuar si përgjegjës në keqmenaxhimin e territorit dhe tolerimin e ndërtimeve pa leje.
Në të njëjtën linjë, ai ka kërkuar edhe verifikim të strukturave drejtuese në Fier e Durrës, ndërsa ka paralajmëruar ndëshkime për të gjithë ata që kanë lejuar abuzimet me hapësirat publike.