Maura Lewinger thotë se burri i saj, Joe, i shkruante letra dashurie çdo mëngjes dhe ia linte në kutinë e drekës. Në to nuk shkruhej thjesht “kalofsh një ditë të bukur”, tha ajo, por përshkruanin çfarë do të thoshte Maura për të dhe ndoshta planet e tyre për ditën e ardhshme ose për fundjavën e ardhshme.

"Ai gjithmonë kujdesej për mua, më merrte kafenë dhe më ndihmonte në çdo mënyrë," i tha ajo CNN Friday.

Joe, 42 vjeç vdiq fundjavën e kaluar nga komplikimet me koronavirusin. Ashtu si familjet e tjera në të gjithë SHBA-në tani, Lewinger u desh t'i thoshte lamtumirën burrit të saj virtualisht, me FaceTime, në rastin e tyre. Ajo tha se për shkak të urdhrave të qëndrimit në shtëpi, distancimit shoqëror dhe izolimit të përgjithshëm që ka sjellë ky virus, realiteti i vdekjes së burrit të saj ndonjëherë i mungon.

"Tani për tani, duke mos parë njeri, ndonjëherë më duket sikur është në punë,"- tha ajo.

Joe punoi në një shkollë të mesme katolike në Long Island, New York, për 20 vjet. Ai ishte asistent dhe trajner i ekipit të basketbollit.

"Ai gjithmonë kishte një vesh dëgjues, pavarësisht se për çfarë po flisnit, Joe ishte gjithmonë duke dëgjuar. Gjithmonë të bënte të ndiheshe sikur ju ishit personi më i rëndësishëm në dhomë",- tha Lewinger.

Joe nuk kishte shenja paralajmëruese dhe infektimi i filloi me “simptoma të buta”, tha Lewinger për CNN Friday, që përfshinte ethe të shkallës së ulët. Rreth Ditës së Shën Patrisit, në mars, kur i filluan ethet dhe problemet me frymëmarrjen.

Në ditët përpara se Joe të vdiste, Lewinger i tha CNN-it se “të dy flisnin 24 orë në 7 ditë të javës me Facetime, duke u përpjekur të mos e linte të ndihej vetëm”.

“Vendi duhej të mësohej me distancën dhe ne duhej të mësoheshim me kujdesin virtual dhe me martesën virtuale, thjesht duke qenë atje për njëri-tjetrin.”- tha ajo.

Kur mjekët i thanë Lewinger-it se frymëmarrja e burrit po përkeqësohej dhe se ishte duke u trajtuar me tre ilaçe të ndryshme të presionit të gjakut, ajo kërkoi të fliste me të në Facetime.

“E pashë dhe iu luta të mos na linte dhe i thash se të gjithë kishim nevojë për të.”- tha ajo.

Mjekët i thanë se do të provonin metoda të tjera për ta mbajtur Joe gjallë. Gjatë asaj periudhe pritjeje, Lewinger i tha CNN se dëgjonte këngën e dasmës në sfond teksa shihte oborrin e shtëpisë. Atëherë mjeku telefonoi përsëri.

"Kam frikë se ai nuk ka më shumë kohë,"- i tha mjeku. Lewinger i kërkoi atij që të fliste përsëri me Joe-n me anë të Facetime.

"Unë e falënderova atë që ishte burri më i mahnitshëm, sepse më bëri të ndihem e dashuruar çdo ditë,"- këto ishin fjalët që i tha Joe-s.

Pastaj doktori i tha se pulsi i tij kishte ndalur. “Vura këngën e dasmës tonë për të. Dhe aq ishte.”- tha ajo.

Joe la gruan dhe 3 fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Lewinger theksoi rëndësinë e respektimit të distancës sociale dhe qëndrimit në shtëpi.

"Njerëzit thjesht nuk janë të kujdesshëm. Njerëzit po ndihen kaq të padukshëm dhe mendojnë se mund t'u ndodhë,"- tha ajo. "Nuk mund të jesh me njerëz që nuk janë në shtëpinë tënde. Si e trishtuar, si e vetmuar dhe gjithçka tjetër, duhet të qëndrosh vetëm me njerëzit në shtëpinë tënde."