“At Sergi” novela e njohur e Tolstoit, pas suksesit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, është ngjitur në skenën më të re të kryeqytetit, atë të ArTurbina. Kjo vepër ka qenë një ëndërr shumëvjeçare e gazetares Kozeta Kurti, e cila ishte sot në “Rudina” për të folur rreth kësaj vepre që për shumë vite i ka falur emocione të rralla, madje i ka ndryshuar asaj edhe konceptin për racionalitetin.
Po, lajmi nuk ishte vetëm kaq. Ose, më mirë, nuk ishte ky i vetmi lajm që doli pasditen e sotme nga “Rudina”. Kozeta, e njohur për natyrën e hapur para kolegëve të saj gazetarë dhe mediave, pa përpjekjen më të vogël për t’u rezervuar ndaj gjërave që nuk i pëlqejnë (gjë që vazhdon ta bëjë edhe sot), kishte edhe një qëllim tjetër për të përmbushur nga programi i Rudina Magjistarit.
Siç tha ajo në hyrje, ende pa u ulur, nuk kishte ardhur vetëm për punë, për promocionin e shfaqjes apo për t’iu përgjigjur ftesës së një programi që e ka për zemër: “Unë kam ardhur këtu edhe për të bërë një punë të trefishtë. Do të prodhoj sot një lajm për portalet, do t’ia vendos edhe titullin, edhe shkrimin, në mënyrë që ata të mos lodhen nesër”, – tha gazetarja duke u përpjekur të shpjegojë cili është ‘kunji’ që ka me Rudina Magjistarin për t’ua servirur të gatshëm titullin dhe lajmin portaleve: “Rudina Magjistari i fal kunjin Kozeta Kurtit dhe e fton sërish në studio…”, – tha Kozeta duke qeshur.
“Për cilin kunj e ka fjalën, se unë nuk jam në dijeni fare” – ia ktheu Rudina aty për aty dhe Kozetës iu desh të sqaronte si lindi lajmi që mori dhënë nëpër portale: “Dy vjet më parë, kur kam ardhur këtu, kam thënë ‘ju shumë mirë keni bërë që ia keni vendosur emrin programit “Rudina”, por edhe kur ne kemi ardhur herë të tjerë, kur quhej “Takimi i pasdites” apo sido, kemi thënë ‘ika, jam vonë, sepse po shkoj te “Rudina”’. Por në një moment të dytë, kur i jam referuar (pyetjes) ‘cili është programi i ëndrrave të tua’, kam thënë ‘një program cilido qoftë ai, por të mos mbajë emrin tim, sepse do më dukej si një përpjekje për të krijuar vëmendje’. Të nesërmen, prodhuan lajme ‘kunja, Arjan Çanit, Rudina Magjistarit”, kështu që ma ka falur Rudina kunjin” ,– tha Kozeta duke ironizuar lajmet nëpër portale që qarkulluan asokohe me pretendimin se Kozeta, me atë që tha, me gjasë, i drejtohej Rudina Magjistarit.
Kjo e fundit, pa iu referuar rastit në fjalë tha se, nëse programi është i suksesshëm, ai e merr vetë emrin: “Programi e merr emrin vetë, ti mund të mos e quash programin tënd, me emrin tënd, por nëse programi është i suksesshëm, nëse është një program shumë popullor, të gjithë do thotë ‘do shkoj te Kozeta’"…
Edhe një lajm tjetër për portalet. Titullin dhe përmbajtjen e tha vetë Kozeta, por mesazhin jo. Atë ua la redaksive ta interpretojnë si të duan….
E ndërsa ne merremi me thashetheme, Kozeta përfiton nga rasti të merret me pak art dhe kulturë teatri…