Që nga koha kur drejtori i programacionit të TV Klan, Albert Dumani, vuri re interesin e jashtëzakonshëm të publikut shqiptar për serialet turke, bashkë me Tv Klan, vendosi të investojë më shumë në blerjen e një sërë produksioneve që do të ndiqeshin me interes të madh nga publiku ynë. Po kush e kishte menduar se pas shumë bashkëpunimeve, takimeve e eventeve me producentë e aktorë të njohur turq, Dumanit do t’i propozohej edhe një rol si aktor në këto seriale?
I ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, drejtori i programacionit të Tv Klan, zbuloi më shumë fakte interesante që do të shoqërojnë serialin "Kryeqyteti Abdylhamit", në Tv Klan, gjatë sezonit të ri, ku, siç dihet, interpreton edhe aktori ynë i njohur, Nik Xhelilaj.
Por nuk mbaron me kaq. Me gjithë rolin e përfaqësuesit të Tv Klan, si drejtor i programacionit, Dumani ka qenë i pranishëm në shumë shesh-xhirime, por edhe ka krijuar shumë kontakte me producentë të njohur turq, të cilët paskan projekte edhe për Bertin.
Ndër të tjera, Berti tha se atij i janë ofruar disa herë role në serialet turke, por i vetmi problem serioz që e ka bërë t’i refuzojë ofertat ka qenë gjuha.
"Unë vetëm se nuk di gjuhën, se më kanë thënë 'Hajde, do bësh ndonjë rol', por s'dua të dal pa folur. Dua të dal mirë, me një rol të mirë. Kam takuar disa producentë. Në rol episodik edhe mund të futem. Por do thonë pastaj shqiptarët 'Pse kaq bëri ky? Vetëm doli dhe nuk tha asgjë",- tha Berti pasi Rudina i vuri në dukje se, në të vërtetë, edhe ngjan si aktor turk me mjekrën më të gjatë.