Nëse ka një kategori personazhesh gjithmonë të hapur me publikun në showbiz-in shqiptar, një që të vjen menjëherë në mendje është Ronela Hajati. Gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe pa doreza, këngëtarja nuk druhet ta thotë të vërtetën e saj, ashtu si e mendon, edhe pse jo rrallëherë është vënë në shenjestër të rrjetit apo edhe të kolegëve të saj. Megjithatë, nuk shqetësohet aspak, edhe nëse krijon ‘armiq’.
Megjithatë, ka diçka të cilën Ronela nuk ka dashur asnjëherë ta ndajë me publikun, megjithëse shumë shpesh ka zënë titujt kryesorë të portaleve e mediave të ndryshme online. Jeta private, për të ka qenë gjithmonë e shenjtë dhe si të tillë ka dashur ta mbajë, pavarësisht kureshtjes që ka nxitur sidomos kohët e fundit publikun. Pas bashkëpunimeve me Yang Zerkën, Ronela dhe reperi u komentuan gjatë për një marrëdhënie më shumë se miqësore bashkë, por ata asnjëherë nuk e pranuan publikisht që ishin në një lidhje. Vazhdimisht kanë shprehur konsiderata për njëri-tjetrin, por pa pranuar nëse kanë një raport më të ngushtë se aq.
Megjithatë titujt për lidhje, bashkëjetesë apo edhe ndarje nuk kanë munguar. Si janë ata tani?
Sot, e ftuar në “B & E Caffee”, Ronela nuk i shpëtoi një pyetjeje provokuese nga Erion Isai. Por edhe ajo e kishte gati përgjigjen: “Si i ke marrëdhëniet me djemtë korçarë, më çupë?” – e pyeti Isai dhe ajo, pa u ndier fare në siklet, tha: “Shumë të mira i kam, sepse mami im është me origjinë nga Korça dhe kushërinjtë nga mami andej i kam…” Dhe, si për ta vazhduar ngacmimin e Erionit, tha se me ta merret vesh shumë mirë: “Janë të këndshëm, të lezetshëm…”
Nëse ishte më shumë se një pyetje e thjeshtë për djemtë korçarë, Ronela e dha një përgjigje bindëse. Mbase nuk qëndron e vërteta e ndarjes, por mbase ajo dhe Yang Zerka bashkëjetojnë, siç është thënë ditët e fundit. Ose, edhe nëse asnjëra prej këtyre nuk qëndron si e vërtetë, atëherë prisni derisa ajo të thotë si është vërtet e vërteta e këtij raporti që nuk po merret vesh.
Nëse do të dojë ta zbulojë ndonjë ditë…