Erik Lloshi mungoi në koncertin recital të Anxhela peristerit dhe mungesa e tij nuk kaloi pa vëmendje. Jo vetëm kolegëve e miqve që e dinë se Anxhela dhe Eriku janë miq prej kohësh, por edhe në media e portale, mungesa e Erikut u bë lajm dite.
Jo e një rëndësie më të vogël ishte edhe mungesa e këngëtares në dasmën e kolegut dhe mikut të saj pak javë më parë. Edhe pse të gjithë folën për mungesën dhe arsyet e Anxhelës, në fakt, aludimet ranë poshtë shpejt, pasi ishte vetë Eriku ai që, si fillim, tha se Anxhela ishte në një event tjetër dhe e kishte të pamundur të merrte pjesë.
Sot, ishte radha e Anxhelës të tregonte “të vërtetën” e saj për mungesën në dasmën e Erikut. E ftuar në “Rudina”, këngëtarja tha se mungesa e saj në dasmën e Erikut nuk kishte asnjë lidhje me hatërmbetjet apo lajmet e përhapura publikisht.
“Fakti që unë nuk ndodhesha në dasmën e Erikut nuk ka lidhje fare me hatërmbetjet tona si shokë dhe nuk kemi pasur ndonjë hatërmbetje. Unë nuk e di pse ka dalë ky lajm, ndoshta nga mungesa e Erikut në koncertin tim recital, por ai kishte një problem të vetin.…
Thjesht kur Eriku më ka lajmëruar për datën e dasmës, unë kisha një datë të mbyllur që në tetor dhe nuk bëhej fjalë që ta anuloja, ishte shumë e rëndësishme, sepse njerëzit do vinin nga Amerika. Nuk e anuloja dot atë angazhim që kisha, prandaj nuk isha dot në dasmën e Erikut. As unë, as Aurel Thëllimi, sepse ishim të dy aty. Unë i kërkoj falje Erikut pse nuk isha, ne kemi folur edhe personalisht. Tani po të dojë, le të mungojë edhe ai në dasmën time, të bëhemi një me një…” – tha Anxhela duke qeshur.
Megjithatë, me humor, ajo shtoi se, në fakt, tani janë barazuar, sepse ai nuk i shkoi në recital, ndërsa ajo në dasmë.