Kush fshihet pas fustanit magjik, bashkëshortja e Rafael Nadal zgjedh emrin ideal për ditën më të bukur të jetës
E Shtunë 26 Tetor 2019
Gjithçka e bardhë dhe e pastër – si ngjyra simbolike e dasmës…. Gjithçka ëndërr në një ishull magjik në Spanjë. Pas plot 14-vjetësh lidhje, tenisti spanjoll Rafael Nadal lidhi kurorë me partneren e tij, Mery Perello, në Sa Fortaleza, një zonë luksoze që ndodhet në Pollenca në pjesën verilindore të Mallorca-s.
E gjithë ceremonia u organizua në mënyrë private dhe me një siguri të lartë. Edhe të ftuarve iu kërkua që të mos sillnin telefonat celularë me vete.
Rreth 350 të ftuar, mes të cilëve trajneri i Nadal, Carlos Moya, dhe tenistët e tjerë miq të 33-vjeçarit; Feliciano Lopez, Fernando Ferdasco e David Ferrer, ndërkohë që mungoi Roger Federer i impenjuar me aktivitete. I ftuar në dasmën e Rafael Nadal ishte edhe mbreti Juan Carlos, bashkëshortja e tij Sofia dhe shumë personazhe të tjerë të famshëm.
Nadal, një dhëndër elegant, kishte zgjedhur një kostum të krijuar nga stilisti italian Brunello Cucinelli, ndërsa Mery Perello ia besoi veshjen e ditës së saj më të rëndësishme stilistes spanjolle Rosa Clara.
Rosa Clará është një emër unik për dizajnin e veshjeve të nusërisë. Me një stil të thjeshtë dhe krejtësisht elegant, Mery Perelló shkëlqeu me fustanin e bardhë, një dizajn i pastër dhe unik.
Një kombinim i pëlhurës së pastër me dantellën në pjesën e bustit, e sjell këtë model unik në trupin elegant të Perelló-s. Mëngët e gjata, të vizatuara me motive lulesh delikate nga dantella e bukur franceze, frymëzuar nga Art Deco, theksonin edhe më shumë thjeshtësinë dhe elegancën e nuses së Nadal.
Vetë atelieja e Rosa Clara-s, në një postim në faqen zyrtare në Instagram, përshëndet çiftin e sapomartuar dhe tregon me emocione përgatitjen e një fustani ‘haute couture’, që flet me gjuhën e thjeshtësisë, elegancës dhe stilit të lartë e unik.