Ndarja nga jeta në moshën 46-vjeçare e artistes së njohur shqiptare Hueyda El Saied, pas një beteje me sëmundjen e rëndë, ka shkaktuar një trishtim jo vetëm te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj, por dhe te gjithë mbarë opinion publik.

Sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishin disa nga miqtë e saj më të mirë, të cilët treguan për kujtimet e tyre me artisten. Ndër to ishte dhe ish- shoku i saj i klasës për 8 vite, Julian Bulku i cili është rritur me të.

Çdo njeri do ta shikonte si një kukull të bukur, si një diçka shumë të veçantë dhe me të vërtetë Hueyda ishte një njeri i veçantë jo nga ngjyra, por nga energjia e saj. Mbaj mend ka qenë një vajzë shumë e zgjuar, në shkollë, absolute në mësime, ishte shumë krenare, e nganjëherë si fëmijë ngatërroheshim në kohën tonë, sepse nuk dinim të shpreheshim aq bukur siç shprehemi tani.

Mbaj mend, kur ka ardhur ajo peliçja dhe i thonim ta ka sjellë babi apo ta kanë sjellë nga diku tjetër. Party. Ka qenë nga gocat e pakta që ne në kohën e Enverit mblidheshim në shtëpi bënim 8 Marsin. Dhe Diana, e ëma vetë, do t’i plotësonte çfarëdo lloj dëshire.

Derisa arriti të shkëlqejë në një shtet kaq të vogël, por dhe kaq mizor me ngjyrat apo me paragjykimet, me prindër të ndarë e të pandarë, Hueyda arriti të lulëzojë. Një vajzë shumë e bukur, një nxënëse e shkëlqyer. Kur vishte ato getat e bardha, na dukej si një mjellmë e zezë. Albi Nako ka qenë në një klasë me ne. I kapnin kaçurrelat, ia rregullonim, se kishte flokun më ndryshe nga të gjithë ne".