Nuk është hera e parë që lajmet për një raport të ngushtë të koreografit Albi Nako dhe balerinës Alba Hoxha zënë titujt kryesorë të portaleve shqiptare, dhe nuk është hera e parë që dy protagonistët i mohojnë. Edhe këtë fundjavë, lajmet për një “ndarje tjetër” të tyre janë përhapur me shpejtësi në disa media e portale. Madje, me gjasë, “ndarja” e Albit dhe Albës paska çuar edhe në vendimin e kësaj të fundit për t’u larguar nga shtëpia e koreografit, me të cilin kishte nisur të bashkëjetonte prej disa kohësh.

Balerina dhe prezantuesja e motit në Tv Klan, në fakt ka reaguar menjëherë në llogarinë e saj në Instagram duke i hedhur poshtë këto spekulime, të cilat, sipas Albës, nuk kanë asnjë bazë të vërtetë. As për lidhjen me Albin, as për bashkëjetesën, madje, më keq akoma, as për ndarje e për largim nga shtëpia.

Në një prononcim ekskluziv për Class, Alba thotë se asgjë ç’është shkruar së fundi nuk është e vërtetë: “Nuk kam jetuar KURRË në shtëpinë e Albi Nakos. Kam jetuar e vazhdoj të jetoj me familjen time”, - thotë ajo prerë duke theksuar se gjithçka është bërë me qëllim për të cënuar jetën e saj private: “Janë gjëra të pavërteta. Kam kuptuar se gjithçka bëhet për ca klikime më shumë dhe nuk po arrij dot të kuptoj pse nuk po merr fund”, – vijon Alba.

E pyetur nëse ka pasur apo ka vërtet një raport të ngushtë me Albin, balerina thekson: “E kam thënë disa herë. Jemi thjesht miq dhe kemi raporte kolegësh, koreograf – balerinë, kështu që mjaft më!”

Po a ka diçka të re në jetën e saj, jashtë Albi Nakos? Edhe për këtë, Alba është e prerë: “Në momentin që do të ketë diçka të re në jetën time private, do ta bëj publike, kështu që rrini të qetë!

Deklarata e Albës u jep fund edhe një herë të gjithë zërave për një lidhje dashurie me Albi Nakon. Sipas balerinës, ky raport i shumëpërfolur është kthyer në “garë” klikimesh tashmë, kështu që duhet të marrë fund sa më parë, në mënyrë që të mos cënohet më dinjiteti dhe imazhi i saj.