E gjithë bota po shqetësohet për shëndetin e kancelares gjermane Angela Merkel. Në më pak se një muaj, gjatë takimeve zyrtare kancelarja 64-vjeçare ka shfaqur probleme shëndetësore në publik. E para ndodhi më 27 qershor, gjatë takimit të saj me presidentin gjerman FrankWalter Steinmeier. Merkel kishte një dridhje të pakontrollueshme të trupit. Pas konferencës për shtyp, ajo u justifikua duke thënë se kjo gjë kishte ndodhur për shkak të dehidratimit të trupit.
Nuk vonoi shumë dhe e njëjta skenë u përsërit gjatë një tjetër takimi me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky dhjetë ditë më parë. Merkel kishte të njëjtën dridhje dhe stafi i saj informoi më pas se kancelarja është mirë.
Mirëpo, çfarë do të thonë pas skenës së tretë, ku kancelarja Merkel filmohet duke u dridhur në mënyrë të pakontrolluar gjatë një takimi në Berlin me kryeministrin finlandez Antti Rinne?
Pas takimit me Rinne, Merkel ju tha gazetarëve “Jam mirë”.
Sipas Merkel, ndikimi psikologjik i rastit të parë ishte përgjegjës për episodet e mëvonshme. Shëndeti i figurave publike përgjithësisht konsiderohet si një çështje private në Gjermani dhe ligjet e privatësisë së vendit janë shumë strikte për këtë lloj informacioni. Merkel është kancelare e Gjermanisë që prej vitit 2005 dhe mbush sivjet 65 vjeçe më 17 korrik. Ajo rrallë bën pushime dhe nuk e redukton asnjëherë orarin e punës.