Ditën e djeshme në mediat online qarkulluan lajme, ku thuhej se modelja Oriola Marashi është ndaluar nga policia, pasi i ishin gjetur dy qese farmaceutike me kanabis sativa. Disa media konfirmuan ndalimin e Oriolës më datë 8 shkurt, edhe pse nuk përputhej emri në njoftimin e policisë, ku thuhej se personi i ndaluar quhej Arjola Mirashi.

“Më dt.08.02.2020, u referuan materialet në Prokurorinë e Shk.Parë Tiranë, për shtetasen Arjola Tonin Mirashi, dtl.18.03.1995, sepse në orën 19.20, në rrugën “Dritan Hoxha” iu gjet dhe u bllokua me cilësinë e provës materiale 1,9gr. lëndë narkotike e llojit Canabis Sativa. Neni 283/1”, -thuhej në njoftimin e policisë.

Pas këtij lajmi, ka reaguar për Gazetën Shqiptare e ëma e Oriolës, Xhoi Jakaj. Ajo i ka mohuar kategorikisht këto lajme, duke shtuar se Oriola nuk gjendej në Shqipëri më datë 8 shkurt, por në Vienë, ku ndodhet ende.

“Është një trillim i shëmtuar. Nuk ka asgjë të vërtetë. Oriola nuk është ndaluar as mbrëmë, as kurrë nga policia. Ajo prej disa ditësh gjendet në Vienë, ku është e angazhuar me projekte të reja në fushën e modelingut. Gjithçka është një shpifje për ta dëmtuar. Këto lajme kemi vendosur t’i ndjekim penalisht. Do të ketë një padi për cilindo që ka publikuar këtë lajm krejtësisht të pavërtetë”, -ka thënë Xhoi Jakaj për Gazetën Shqiptare.