Askush nuk është imun dhe i paprekshëm ndaj një virusi, i cili po luan me të gjithë botën. Po vjen një valë e dytë kur ende nuk është mbyllur e para? Kur po del vaksina? Kush do të vaksinohet i pari? Si do të sillet virusi në vjeshtë? Janë vetëm disa nga dhjetëra-qindra pyetjet, të cilave, për fat të keq, as vetë ekspertët nuk po u japin dot përgjigje. Ose, edhe ato me gjysmë siguri, nuk dihet si e kanë gjysmën tjetër…

Kështu, virusi po sillet keq dhe çuditshëm me të gjithë botën. Nuk ka sesi të bëjë përjashtim edhe nga ne. Autoritetet vazhdojnë të apelojnë me zë të lartë për të respektuar rregullat dhe protokollet, për të mos i hequr maskat, për të ruajtur distancat… Po si?

Si mund të ruhet distanca në një autobus urban, në një market, në një bankë? “Na ruajtë Zoti…” nuk është një lutje klishe që përsëritim sa herë dëgjojmë ata që infektohen dhe ata që, për fat të keq, e kanë humbur betejën me virusin, por bashkë me të, secili nga ne nuk duhet të harrojë të bëjë pjesën e tij, sado e vështirë të jetë në një shoqëri si e jona, më shumë e lodhur sesa e pabindur, për rregullat, këshillat që dikush duhet t’i respektojë për 2,3,4 të tjerë… dikush tjetër i injoron frikshëm me idenë absurde se “Covid-19 nuk ekziston…”

Gjithsesi, Covid-19 nuk ka të zgjedhur, madje prek kë të gjejë. Të njohur e të panjohur, të moshuar e të rinj, një pjesë e të cilëve e kanë humbur luftën, një pjesë tjetër në gjendje serioze për jetën.

Një pjesë e personazheve të njohur shqiptarë, prekur nga koronavirusi, kanë ndarë me publikun lajmin se janë infektuar duke theksuar kujdesin që duhet të tregojë secili nga ne.

Aktori i humorit, Florian Binaj, disa javë më parë, ndau me publikun lajmin se ishte prekur nga virusi fare pa kuptuar, pas temperaturës së lartë që pati gjatë një fundjave në plazh…

Pas tij, edhe emra të tjerë publikë mësuan se janë infektuar, por më pak prej tyre patën guximin ta ndanin me publikun.

Lajmet që këngëtarja dhe deputetja shqiptare e Kosovës, Eliza Hoxha, është prekur nga koronavirusi pushtuan mediat shqiptare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Madje, pati edhe akuza pas një daljeje të Elizës poshtë pallatit pasi ishte mësuar infeksioni. Edhe ajo, si pak syresh, ndau me publikun një mesazh sensibilizues për kujdes të shtuar.

Sot, Eliza, në një mesazh të gjatë publik, rrëfeu ndjesitë e pothuaj të gjitha ditëve në spital, ndërsa shikonte, dëgjonte e mësonte në ç’gjendje vinin, si kuroheshin, por edhe sa vuanin për t’ia dalë deri në fund të infektuarit, edhe pse, jo rrallëherë, kjo nuk ishte e mundur.

Po sot, që në orët e para të mëngjesit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndau me të gjithë lajmin se edhe ai është prekur nga virusi, pas konfirmimit pozitiv të testit të kryer. Duke u bërë thirrje të gjithëve për kujdes, Veliaj tha se do vijojë punën me të njëjtin intensitet, por tashmë nga shtëpia.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Të dashur miq, pavarësisht kujdesit të shtuar, sot rezultova pozitiv me Covid-19 😔 Ju lutem kujdesuni sa të mundeni për veten dhe të tjerët 🙏🏻

A post shared by Bledi Strakosha Media® (@bledistrakosha) on

Pak orë më parë, gazetari i njohur Bledi Strakosha ndau lajmin se ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Edhe ai, duke u bërë thirrje të gjithëve, tha se, pavarësisht kujdesit të shtuar gjatë kësaj periudhe, nuk ka shpëtuar pa u prekur nga virusi.

Veç atyre që kanë ndarë publikisht mesazhet e tyre, ka edhe të tjerë jashtë botës virtuale që luftojnë me virusin pa zhurmë, por ashpër. Që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, rregullat janë po ato që i dimë të gjithë. Vetëm se, jo të gjithë i respektojmë gjithmonë.