Pas një periudhe të gjatë Albana Osmani shfaqet në një emision, jo si një moderatore por tashmë si një autore. Prej datës 23 tetor, libri i saj i parë 'Çika', mund të jetë në duart e të gjithëve.

Albana Osmani është ftuar ditën e djeshme në emisionin 'Ftesë në pesë' për të folur më shumë rreth librit. Një libër që nisi të shkruhej dy vite më parë, i zhanrit fantastiko-shkencor, flet për një pandemi. 

"Hard work will pay back"- thotë ajo gjatë intervistës, që do të thotë se puna e madhe do të shpërblehet një ditë. "Unë ua kam dedikuar librin të gjithë të rinjve, është mirë të besosh që suksesi yt është i padiskutueshëm."

Moderatorja e programit, Bieta Sulo, është ndalur në pyetjet 'provokative' rreth dashurisë, por Albana tregohet e rezervuar duke thënë thjesht që:

"Kam menduar për planet e jetës, kur je i dashuruar nuk ke kohë ta ndash me çdokënd, unë i besoj dashurisë së vërtetë."

Kur bie fjala tek familja, Albana shfaqet gjithmonë e emocionuar. Ditën e promovimit të librit nuk i munguan as lotët. Por ajo thotë se pavarësisht kushtëzimeve që ka vendosur pandemia, familjen e ndien gjithmonë pranë.