Kur Jill Biden zbriti nga një avion javën e kaluar, më shumë se çdo gjë tjetër, tërhoqi vëmendje veshja e saj që papritmas është bërë tema më e diskutuar në Twitter. Ajo mbante veshur një xhaketë, fustan dhe një palë geta me dizajn që në përgjithësi kanë marrë një vëmendje pozitive nga fansat.

Mirëpo, nuk kanë munguar as polemikat. Madje, pati edhe nga ata që bënë shaka seksiste me getat e Biden.

Polemika për veshjet e zonjave të para nuk është diçka e re. Frances Folsom Cleveland - e cila ishte vetëm 21 vjeçe kur u martua me Grover Cleveland në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1886 - kishte një prirje për veshjet që tregonin qafën, shpatullat dhe krahët, sipas revistës Time. Kjo preferencë nxiti Unionin e Krishterë të lëshojë një peticion duke i kërkuar asaj që të mos veshë fustane, por ajo vazhdoi t'i vishte gjithsesi.

Gjithashtu, Michelle Obama dhe Melania Trump janë kritikuar për veshjet e tyre, por për arsye krejtësisht të ndryshme.

Në vitin 2009, Obama shkaktoi një boom komentesh, kur u shfaq e veshur me pantallona të shkurtra, të cilat u gjykuan si shumë të shkurtra dhe të papërshtatshme, gjatë një udhëtimi familjar në Grand Canyon.

Nga ana tjetër, Melania Trump u kritikua për veshjen e takave stileto gjatë një vizite në Teksas ku banorët ishin goditur nga Uragani Houston, në vitin 2017.

Në vitin 2018, gjatë një vizite te fëmijët emigrantë në kufirin SHBA-Meksikë, ajo nxiti zemërim pasi veshi një xhaketë që shkruante: "Mua vërtet s’më intereson, po ty?"

Trump gjithashtu shkaktoi zhurmë kur gjatë një udhëtimi në Kenia, në vitin 2018, u shfaq me një kapele që u kuptua si shenjë e mbështetjes së kolonializmin. Ajo mbante një helmetë të bardhë, dikur e preferuar nga evropianët në kolonitë afrikane.