Një serial me shumë pjesë mund të konsiderohej historia e këngëtares Fjolla Morina, pas arrestimit të saj në pikën kufitare të Morinës, në shtatorin e vitit të kaluar. Pak ditë më parë, ajo u arrestua në Prishtinë për veprat penale “trafik të armëve dhe municionit”, si edhe “arratisje nga vendi i paraburgimit”.

Mbi këto vepra penale, nga mediat e Kosovës mësohet se Fjolla Morinës i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda.

Masa e paraburgimit do llogaritet nga koha kur Morina Morina u arrestua, më 17 korrik 2021.

Vendimi për këngëtaren është marrë të mërkurën nga gjyqtari i procedurës paraprake, Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina dhe mbrojtësit e saj, avokat Fehmije Gashi-Bytyqi dhe avokat Fanol Krasniqi si mbrojtës kryesor.

Fjolla Morina u shpall në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.

Arrestimi i këngëtares u bë në shtator 2020, në pikën e kalimit kufitar Morinë. Në çantën e dorës, Fjolla mbante një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.

Praninë e armës, ajo e justifikoi me idenë që i ndërronte shpesh çantat e dorës dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.

Bashkë me Morinën, u arrestua edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja është martuar në Dubai, disa muaj më parë, edhe pse ende ishte në kërkim nga Interpol-i.