Karim Benzema

Futbollisti francez Karim Benzema është dënuar me një vit burg me kusht dhe është gjobitur me 75,000 euro për përfshirjen e tij në një skandal zhvatjeje për një kasetë seksuale që tronditi sportin francez.

Një gjykatë e Versajës të mërkurën e shpalli Benzeman fajtor për bashkëpunim në tentativë për shantazh ndaj shokut të tij të skuadrës franceze, Mathieu Valbuena për një video që mendohej se ishte vjedhur nga telefoni celular i Valbuenës.

Avokati i Benzemas tha se sulmuesi i Real Madridit do të apelojë menjëherë dënimin, duke e quajtur atë "të padrejtë dhe të bazuar në asnjë provë". Benzema, i cili mohoi të këtë kryer shantazh, mungoi në gjykatë për shkak të angazhimeve sportive, por avokatët e tij thanë se ai do të ishte i pranishëm nëse do të zhvillohej një gjyq i dytë në apel.

Skandali tronditi futbollin francez në vitin 2015 dhe hetimi dhe çështja gjyqësore kishin hedhur hije mbi kombëtaren që atëherë. Një hetim u hap në korrik të 2015-ës kur mesfushori Valbuena, i cili më pas luante për Francën dhe Lionin, shkoi në polici pasi u kontaktua nga një burrë i panjohur që pretendonte se kishte në posedim një kasetë seksuale inkriminuese të regjistruar me sa duket me një telefon celular. Telefonuesi nuk përcaktoi një shumë parash, por tha se ata duhet të arrijnë në një marrëveshje.

Mathieu Valbuena

33-vjeçari Benzema ishte një nga pesë personat që dolën në gjyq muajin e kaluar për përpjekjet për zhvatje kundër Valbuenës. Benzema u akuzua se kishte inkurajuar Valbuenën të merrej me shantazhuesit dhe t'i paguante ata. Një ndërmjetës ishte një shok fëmijërie i Benzemas. Avokati i Benzemas mohoi në gjykatë se ai ishte bashkëpunëtor në shantazh, duke thënë se ai kishte ndërhyrë vetëm për të ndihmuar shokun e tij të skuadrës për të gjetur një zgjidhje, jo për ta shantazhuar atë.

Gjykata e shpalli Benzeman fajtor për bashkëpunim në shënjestrimin e Valbuenës, i cili tani luan për klubin grek Olympiakos. Gjykatësi tha të mërkurën se Benzema ishte përfshirë personalisht, me këmbëngulje, në përpjekje për të bindur Mathieu Valbuena të takonte njeriun e tij të besuar. Gjykata gjeti se Benzema nuk tregoi "asnjë dashamirësi" ndaj Valbuenës dhe përkundrazi kishte vepruar "me njëfarë emocioni, madje edhe ngazëllim".

Si Benzema, ashtu edhe Valbuena, humbën vendet e tyre në ekipin kombëtar në vitin 2015 kur shpërtheu skandali dhe u ngritën kallëzime paraprake.

Karim Benzema

Përshtatur nga Guardian